Nagavci: Mbi 11 mijë prindër kanë aplikuar deri tash për subvencionim të librave shkollorë

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se që nga hapja e aplikimit sot, deri tash kanë aplikuar 11,900 prindër për t’u subvencionuar për blerje të teksteve shkollore.Nagavci njoftoi se aplikimi do të jetë i hapur deri në fund të muajit shtator, transmeton gazeta online Reporteri.net.Po ashtu, tha se bashkë me Drejtoritë Komunale të Arsimit, po punojnë që t’i evidentojnë rastet kur prindërve nuk u dalin paratë në xhirollogari për çfarëdolloj arsye. /Reporteri.net/.

Njoftimi i plotë:

Të nderuar prindër,

Kemi hapur sot platformën për aplikim për subvencionimin e teksteve shkollore. Deri në ora 19:00 kanë aplikuar gjithsej 11,800 prindër ose kujdestarë ligjor. Mundësia për të aplikuar do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator, me qëllim që asnjë nxënës të mos mbetet pa u pajisur me tekste shkollore. Nga Drejtoritë komunale të arsimit kemi kërkuar që listat për tekstet mësimore të zgjedhura nga aktivat profesionale, t’i bëjnë publike në shkolla dhe në uebfaqet e tyre, ashtu që prindërit të kenë të dhënat e nevojshme për tekstet që do të blejnë për fëmijët e tyre. Jemi të njoftuar poashtu se mësimdhënësit tashmë kanë filluar t’i ndajnë këto lista me prindërit. Shtëpitë botuese kanë publikuar katalogjet e teksteve mësimore me çmimet përkatëse dhe kemi marrë zotimin që çmimet nuk do të rriten e poashtu që sasia e teksteve është e mjaftueshme për numrin e nxënësve. Institucionet edukativo-arsimore me fillimin e vitit të ri shkollor, përmes DKA-ve, do të na informojnë në lidhje me fillimin e vitit të ri shkollor, duke evidentuar edhe rastet eventuale të nxënësve të cilët mund të mos jenë pajisur me tekste shkollore si rezultat i mos-pranimit të mjeteve nga ana e prindërve për çfarëdo arsye. Të gjitha rastet e adresuara nga shkollat/ DKA-të apo në emailin libri@rks-gov.net do të trajtohen ashtu sikurse do të adresohet çdo shqetësim teknik apo tjetër dhe asnjë nxënës nuk do të mbetet pa përfituar mbështetjen për tekstet dhe mjetet mësimore.

Suksese!