Përmirësohet liria e mediave në Kosovë

                                  Kosova ka shënuar përparim sa i përket lirisë së mediave, tregon Indeksi i Lirisë së Shtypit Botëror, i publikuar nga organizata Reporterët pa Kufij.Në këtë indeks, Kosova sivjet radhitet në pozitën e 61-të, në krahasim me pozitën e 78-të, që ka mbajtur në vitin 2021.Trendi i rritjes vjen pas rënies që ka shënuar vitin e kaluar – për tetë pozita – në krahasim me renditjen e vitit 2020.Por, edhe përkundër përparimit, Kosova vazhdon të mbetet në mesin e vendeve me “situatë problematike”, siç e vlerësojnë Reporterët pa Kufij.Në këtë kategori radhiten edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.Prej tyre, ngjashëm si Kosova, përparim kanë shënuar: Maqedonia e Veriut në pozitën e 57-të nga 90; Serbia në pozitën 79 nga 93 dhe Mali i Zi në pozitën 63 nga 104.Shqipëria ka pësuar përkeqësim – nga pozita 83 ku ka qenë vitin e kaluar, në pozitën 103.Ngjashëm edhe Bosnje e Hercegovina: vitin e kaluar ka qenë në pozitën 58, sivjet në 67.

Situata në Evropë

Raporti i Reporterëve pa Kufij vjen në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, që shënohet çdo 3 maj.Raporti vlerëson gjendjen e gazetarisë në 180 vende dhe territore të botës.Në Evropë, sipas raportit, Norvegjia mbetet në krye të Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit, por, megjithatë, ka pabarazi të konsiderueshme.Estonia dhe Lituania – dy ish-shtete komuniste – janë tani në dhjetëshen e parë, ndërsa Holanda nuk është më.Greqia, ndërkaq, ka zëvendësuar Bullgarinë në vendin e fundit në Evropë.Këto zhvillime dhe pabarazi pasqyrojnë tri tendenca kryesore, thuhet në raport.E para: vrasja e gazetarëve. Raporti përmend në mënyrë specifike vrasjen e gazetarëve: Giorgios Karaivaz në Greqi dhe Peter R. De Vries në Holandë, në vitin 2021.“Përgjegjësit për vrasjen e Daphne Caruana Galizias në Maltë dhe të Jan Kuciakut në Sllovaki, para vitit 2020, nuk janë dënuar ende”, thuhet po ashtu në raport.Duke përmendur arsyen e dytë të gjendjes në kontinent, raporti thotë se gazetarët – të barazuar gabimisht me qeveritë – janë përballur me armiqësi nga protestuesit, që kanë kundërshtuar masat kundër koronavirusit.“Në Gjermani, Francë, Itali dhe Holandë, gazetarët janë sulmuar fizikisht, ndërsa janë përballur me fyerje dhe kërcënime të të gjitha llojeve në të gjithë kontinentin”, thuhet në raport, raporton REL.Arsyeja e tretë, sipas raportit, është se disa qeveri të Bashkimit Evropian dhe të vendeve fqinje, kanë ashpërsuar ligjet kundër gazetarëve, sidomos në Slloveni, Poloni, Hungari, Shqipëri dhe Greqi, por aty nuk jepen detaje se për cilat ligje është fjala.Pesë vendet e fundit në listën e Reporterëve pa Kufij, ku situata me të bërit gazetari konsiderohet si “shumë serioze”, janë: Koreja e Veriut, Eritrea, Irani, Turkmenistani dhe Mianmari.