Politika, kjo zeje e një grupi njerëzish që po e dëmton Kosovën/Shkruan;-Bashkim HOXHAJ,analistë politikë.

Foto marrë nga profili i autorit
Politika, kjo zeje e një grupi njerëzish që po e dëmton Kosovën Politika, në një demokraci, nuk është vetëm luftë për pushtet me çdo kusht. Është edhe art i bashkëpunimit, i kompromisit dhe i gjetjes së zgjidhjeve sidomos atëherë kur asnjë subjekt nuk i ka të gjitha. Kosova po përballet pikërisht me mungesën e kësaj kulture politike. Moskonsolidimi i institucioneve shtetërore, përveçse se një problem procedural apo kushtetues; është dhe pasojë e një mentaliteti politik që e sheh fitoren në zgjedhje si të drejtë për të qeverisur pa u dëgjuar askush tjetër. Fituesi i zgjedhjeve e merr mandatin për të qeverisur, por nuk merr të drejtën për ta monopolizuar shtetin. Demokracia jonë parlamentare kërkon bashkëpunim, dialog dhe kompromis, sidomos kur rezultati zgjedhor nuk i jep askujt mundësinë për t’i ndërtuar institucionet i vetëm. Kompromis nuk do të thotë tradhti ndaj votuesit. Përkundrazi, në një sistem demokratik, kompromisi në të shumtën e herave është mënyra e vetme për ta respektuar vullnetin e qytetarëve dhe për ta bërë shtetin funksional. Por kur kompromisi konsiderohet dobësi, kur bashkëpunimi shihet si humbje dhe kundërshtari politik trajtohet si armik, atëherë demokracia mbetet vetëm një procedurë zgjedhore, ndërsa institucionet bëhen peng i kalkulimeve partiake. Një shtet nuk ndërtohet me logjikën “ose bëhet si them unë, ose nuk bëhet fare”. Shteti ndërtohet duke pranuar se edhe tjetri ka votues, legjitimitet dhe të drejtë të jetë pjesë e vendimmarrjes. Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për një garë të pafundme se kush do ta fitojë betejën politike. Sepse kur partitë fitojnë e humbin, dhe shteti mbetet i bllokuar, nuk ka fitues politik; ka vetëm një humbës: Kosova.
/QendraPress/