Sot shi dhe erëra të forta
Prilli ka nisur me temperatura mjaft të larta apo thuajse verore, të cilat po arrijnë deri në 27 apo 28 gradë Celsius në shkallë vendi, kjo si pasojë e masave të ngrohta ajrore me origjinë nga Afrika Veriore.
Nën këto kushte kemi mot me diell dhe vranësira të nivelit të lartë, e bashkë me to edhe koncentrime të larta të pluhurit Saharian.
Ndërkaq, nga dita e martë, specifikisht gjatë orëve të para të 24-orëshit e deri në mëngjes, kemi depërtimin e frontit të ftohtë, i cili pritet të sjellë reshje lokale shiu, kryesisht të përqendruara në Rrafshin e Dukagjinit, të cilat mund të jenë edhe në formë të rrebesheve afatshkurtër.
Po ashtu, do të ketë edhe erëra mjaft të forta, ku nuk përjashtohet mundësia për dëme materiale, shkruan MeteoKosova.
Kalimi i frontit do t’i largojë edhe grimcat e pluhurit Saharian.
Dita do të vijojë me diell dhe vranësira të pakta, ndërsa vonë pasdite mund të ketë shtim të vranësira dhe reshje lokale shiu, tani kryesisht në rrafshin e Kosovës: zona veriore, verilindore, lindore dhe ajo qendrore.
Temperaturat do të pësojnë ulje dhe do të jenë rreth vlerave mesatare, rreth 20 gradë. /Telegrafi/