Dhuna seksuale në rritje, viktimat kryesisht të miturat
Mbi 50 për qind të rasteve të viktimve të dhunë seksuale brenda vitit janë të moshës së mitur, transmeton Insajderi.Kështu ka bërë të ditur drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, i cili thotë se këto raste më së shumti ndodhin si pasojë e abuzimit të fëmijëve apo mashtrimit të tyre.“Mosha e tyre zakonisht është rinore, ndërsa ajo minore e tejkalon 50 përqindëshin brenda vitit, për shkak të abuzimit të fëmijëve apo mashtrimit të tyre”, thotë Gërxhaliu për REL.
Siç thotë ai, në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës kryhen deri në 120 ekzaminime të rasteve të dyshuara për dhunime seksuale brenda një viti.Ndërsa, Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës, dyshon se numri mund të jetë më i madh, pasi jo të gjitha viktimat e dhunës seksuale raportojnë rastet tek autoritetet kompetente.Megjithatë, ajo thotë se numri më i madh i viktimave të dhunës seksuale janë vajzat nga mosha 13 deri në 16-vjeçare.
“Mendoj se ky është një nga problemet kryesore, sfida e raportimit, ajo stigma që lidhet me të qenurit viktimë e dhunës seksual, presioni social që mund t’i bëhet një vajze të mitur e cila ka mundur të jetë e dhunuar seksualisht. Të gjitha këto mund të ndikojnë që një grua, veçanërisht kur kemi të bëjmë me të miturat, që ato të heshtin dhe mos të raportojnë rastin”, thekson Berisha. Në gjashtë vjetët e fundit, në Kosovë kanë ndodhur 225 raste të dhunimeve seksuale, të cilat janë raportuar në Policinë e Kosovës. Vitin e kaluar është raportuar numri më i madh.