Vonesa në krijimin e institucioneve do të shkaktonte krizë politike
Analistët po e shohin majin mars si skenarin më optimist, ndonëse vështirë i realizueshëm, për formimin e institucioneve të reja të Kosovës të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit, por që varen edhe nga certifikimi i rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Analisti Imer Mushkolaj ka thënë se formimi i institucioneve të Kosovës varet nga koha se kur KQZ do t’i certifikojë rezultatet e zgjedhjeve.
Kjo pasi siç tha ai, në zgjedhjet e kaluara KQZ-ja është vonuar në certifikim të rezultateve, plot 53 ditë.
“Mos të harrojmë se KQZ-ja vonohet në certifikim të rezultateve pasi në zgjedhjet e kaluara ka zgjatur plot 53 ditë, derisa është bërë certifikimi i rezultateve. E kjo mund të shkaktoj probleme në zvarritjen e krijimit të qeverisë. Tash për tash situata duket që është më e qartë, në kuptimin se pak a shumë po dihet që Vetëvendosja e ka ndërmend që qeverinë ta bëjë vet me ndonjë votë të komuniteteve jo shumicë. Do duhej që KQZ-ja ta shpejtonte numërimin e votave nga diaspora në mënyrë që mos të mbetet peng krijimi i institucioneve nga puna e ngadaltë e saj. Duke pasur parasysh edhe afatet për zgjedhjen e presidentit, pasi siç e dimë deri më 7 prill duhet të përfundojnë përgatitjet për zgjedhjen e presidentit dhe deri më 7 maj duhet ta kemi presidentin e ri, atëherë krijimi i këtyre institucioneve është i domosdoshëm, nëse nuk dëshirojmë që të shkaktojmë krizë të re politike”, ka thënë Mushkolaj.
Sipas tij është shumë e rëndësishme që qeveria të jetë funksionale – në kuptimin e vendimmarrjes, pasi shton se do të ishte pozitive nëse Lista Serbe nuk do të kishte ndikim të madh vendimmarrës siç ka pasur në të kaluarën.
“Për mua si qytetarë është shumë e rëndësishme që qeveria të jetë funksionale në kuptimin e vendimmarrjes që mund të kryhen. Ndër vite Lista Serbe ka qenë vendimmarrëse në Qeveri, e do të ishte shumë pozitive që ky ndikim të ulej më shumë natyrisht me përfshirjen e përfaqësuesve të Listës Serbe në Qeveri pasi është obligim kushtetues”, tha ai.
Mushkolaj thekson se ende nuk dihet se kush do të jetë në kabinetin e Qeverisë Kurti.
“Nuk kemi ndonjë emër konkret që është konfirmuar nga Kurti për kabinetin e tij. Jemi mësuar me emrat e partive të deri tanishme, por duhet të mësohemi dhe me emrat të cilat mund të duken anonim por ta kryejnë punën në mënyre funksionale.
Ndërsa, Artan Muhaxhiri ka thënë se sistemi zgjedhor në Kosovë imponon kompromise për secilin fitues, pa marrë parasysh numrin e deputetëve.
Sipas tij, opsionet për formimin e qeverisë do të determinohen nga rezultati final pas shterjes së të gjitha procedurave të ndërlidhura me procesin zgjedhor.
“LVV-ja i ka tri mundësi t’i fitojë 61 deputetë, të bëjë koalicion me një parti shqiptare, ose ta përvetësojë ndonjë deputet mobil opozitar”, tha Muhaxhiri.