SHBA me porosi të qartë për Kosovën dhe Serbinë: Arritja e marrëveshjes është çështje urgjente
Përfaqësuesi Special i Departamentit të Shtetit Amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, në një intervistë për televizionin serb N1 ka thënë se për Shtetet e Bashkuara të Amerikës arritja e një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë është një çështje e karakterit urgjent. Një gjë të tillë Palmer e ka thënë kur është pyetur nëse ka një afat kohor për arritjen e një marrëveshje mes dy shteteve.Ai tutje ka thënë se sa më gjatë që pritet aq më e vështirë dhe më e komplikuar do të bëhet.“Koha nuk është në anën tonë. Sa më gjatë që presim, do të bëhet edhe më e vështirë dhe gjithë sfidat përpara do të bëhen edhe më të komplikuara”, ka thënë Matthew Palmer. Diplomati amerikan ka thënë se SHBA’të përkrahin procesin e dialogut të drejtuar nga Bashkimi Evropian dhe emisari sllovak Mirsolav Lajcak, duke shpresuar që të dy palët do të vazhdojnë negociatat së shpejti, raporton Express.Në këtë intervistë Palmer ka folur edhe për rëndësinë e implementimit të marrëveshjeve të Brukselit, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.“Ne qartë ua kemi thënë partnerëve tonë në Beograd dhe Prishtinë. Është obligim i të dy palëve që të implementojnë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe një gjë e tillë duhet të ndodhë”, ka vazhduar Palmer.Emisari i DASH-it për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, gjithashtu ka folur për deklaratat e Albin Kurtit se dialogu nuk është një prej prioriteteve kryesore.“I kam dëgjuar prioritetet e z.Kurti që theksojnë transparencë dhe qeverisje të mirë dhe luftë kundër korrupsionit dhe rregullimi i situatës në Kosovë. Këto janë edhe prioritete tona, ne duam që e gjithë kjo të ndodh në Kosovë”, ka thënë Palmer. Megjithatë Palmer thotë se Kosova duhet të merret me politikën e jashtme dhe të bashkëpunojë me partnerët. “Kosova mund të marrë pjesë në dialog në një mënyrë konstruktive duke punuar edhe në reformat e brendshme. Nuk shohë ndonjë kontradiktë në mes të këtyre prioriteteve”, ka thënë ndër të tjera Palmer. Përveç tjerash emisari amerikan ka theksuar se disa gjëra janë arritur si rezultat i marrëveshjes së Brukselit dhe se dialogut “nuk fillon nga e para”.
Palmer në këtë intervistë për N1 ka folur edhe rreth asaj nëse Serbia duhet vendosë Ambasadën në Jerusalem. Ai ka thënë se i takon Serbisë se ku do ta vendosë Ambasadën, derisa ka theksuar se Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është dhe do të mbetet në Jerusalem.