Rreth 1.4 milion turistë nga Kosova vizituan Shqipërinë brenda shtatë muajve

0

                        Shqipëria vazhdon të mbetet destinacioni kryesor i qytetarëve të Kosovës për sa i përket kalimit të pushimeve. Sipas raportit më të fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT), shkruan Telegrafi, në periudhën janar – korrik 2021, kosovarët ishin të parët në rajon për vizitat në Shqipëri. Referuar INSTAT-it, gjatë shtatë-mujorit hyrjet e qytetarëve nga Kosova janë 1 milionë e 381 mijë e 532 turistë. Thënë ndryshe, 877 mijë e 934 më shumë se për të njëjtën periudhë të 2020.Në periudhën janar – korrik 2019 ishin 1 milionë e 57 mijë e 545 vizitorë nga Kosova në Shqipëri. Vetëm gjatë muajit korrik 2021, në Shqipëri shkuan 521 mijë e 265 turistë, ndërsa gjatë korrikut të 2020-së, i cili konsiderohet si viti i pandemisë COVID-19, ishin 205 mijë e 436 qytetarë që kishin kaluar pushimet në shtetin shqiptar.Për sa i përket vizitave për muajin korrik 2019, kosovarët përsëri ishin të parët që bënë më shumë vizita në Shqipëri, pra në një total prej 448 mijë e 896 turistë.Pas Kosovës, nga vendet e rajonit maqedonasit janë ata që më së shumti kishin vizituar Shqipërinë. Gjatë muajve janar – korrik 2021 ishin 336 mijë e 500 qytetarë nga Maqedonia e Veriut që ishin turistë, pasuar nga malazezët me 183 mijë 747.Greqia është shteti me uljen më drastike të vizitave në Shqipëri, me një rënie me afro 41 për qind. Hyrja e shtetasve grekë në vend është 85,836, pra në total 60,252 më pak se në të njëjtën periudhë të 2020.Polonia ka pasur rritjen më të madhe të hyrjeve në vend apo 5 për qind, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rreth 4 për qind. Gjatë shtatë-mujorit hyrjet e polakëve në Shqipëri janë 56,198, ndërkaq shtetasit amerikanë që kanë hyrë në Shqipëri numërohen 50,980 nga 11,807 që ishte një vit më herët.Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë shtatë-mujorit të 2021 është 2 milionë e 846 mijë e 881, duke u rritur me 2.4 herë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020.Në një panoramë të përgjithshme, numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë shtatë-mujorit të 2021 është 2 milionë e 846 mijë e 881, duke u rritur me 2.4 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *