KMDLNJ: E papërgjegjshme ndërprerja e ngrohjes nga “Termokosi”, shtrenjtimi i rrymës i papranueshëm
Këshilli për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pas ndërprerjes së ngrohjes për qytetarët e Prishtinës nga “Termokosi”, duke e vlerësuar si një veprim të papërgjegjshëm dhe të dënueshëm. KMDLNj kundërshton edhe paralajmërimin e ngritjes së çmimit të rrymës prej 7%, duke e konsideruar si goditje të qytetarëve të varfëruar.Në reagimin e KMDLNJ thuhet se “më 15.12.2021, përjashtuar QKUK-në, i tërë qyteti i Prishtinës ka mbetur pa furnizim me ngrohje nga ‘Termokos’ me arsyetim se Ngrohtorja e Qytetit nuk po ka mundësi të furnizohet me avull nga KEK-u në kohën kur temperaturat janë shumë të ulëta, kur ka reduktime të mëdha të energjisë elektrike (deri në 13 orë brenda 24 orëve), kur drutë janë shtrenjtuar shumë, kurse thëngjilli nuk rekomandohet shkaku se e ndotë shumë ajrin”.“T’i lëshë qytetarët pa furnizim me ngrohje edhe në kohën kur ngrohja e shpenzuar faturohet thuaja 100% përveç që është papërgjegjësi e pafalshme, rrezikon seriozisht shëndetin e qytetarëve, si njëra ndër të drejtat elementare të njeriut, pamundëson kryerjen e punëve efektive për të punësuarit dhe vë në pikëpyetje funksionimin e institucioneve arsimore , që nga ai parashkollor e deri te ai universitar. Ndërprerja e furnizimit me ngrohje e rrit në mënyrë drastike shpenzimin e rrymës në kohën kur Kosova në përgjithësi, e Prishtina në veçanti , po përballen me mungesë të madhe të rrymës duke e vështirësuar gjendjen edhe më shumë”, thuhet në reagimin e KMDLNJ, transmeton Telegrafi. Më tej në reagim thuhet se thirrja publike e Qeverisë së Kosovës të kursehet rryma e humb kuptimin për shkak të mosfurnizimit me ngrohje e që e bënë të domosdoshëm përdorimin e rrymës për të siguruar ngrohje.“KEDS-i për çdo ditë paralajmëron se cilat lokacione do të shkyçen nga rrjeti i furnizimit me rrymë me arsyetim se po punohet në rrjet apo në trafo. Çuditërisht, të gjitha këto shkyçje zgjasin 13 orë, e që lë për të dyshuar se shkyçjet janë të qëllimta (për të kursyer rrymë dhe për të mos blerë me çmime të kripura që janë sot në tregun botëror), duke e rrezikuar seriozisht shëndetin e qytetarëve të Kosovës. Shkyçja nga furnizimi me ngrohje e sidomos me rrymë prodhon efekt zinxhirore, duke e rrezikuar edhe funksionimin e institucioneve publike dhe private, ekonomisë dhe segmenteve të tjera të shoqërisë”.KMDLNj fton Qeverinë e Kosovës të merr masa të menjëhershme për stabilizim të furnizimit me ngrohje dhe rrymë në të kundërtën po krijohen kushte dhe masa kritike të shprehjes së pakënaqësisë sociale të qytetarëve përmes protestave masive, mospagesës së faturave pa iu kompensuar dëmet që iu shkaktohen në biznes dhe ekonomi familjare si dhe formave tjera të kundërshtimit.Paralajmërimin e ngritjes së çmimit të rrymës prej 7% KMDLNj e kundërshton duke e konsideruar si goditje të qytetarëve të varfëruar dhe të cilët edhe deri më tani, me vështirësi dhe sakrifica i kanë paguar faturat e rrymës.“KMDLNj kërkon nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të vendosë sistemin e faturimit për rrymën e shpenzuar në komunat veriore të Kosovës duke e ndërprerë diskriminimin në baza etnike të konsumatorëve; serbët qe 22 vite nuk paguajnë rrymë dhe shërbime tjera, ndërkaq shqiptarët dhe qytetarët e komuniteteve jo serbe, pavarësisht gjendjes ekonomike që e kanë edhe me përmbarues detyrohen t’i paguajnë faturat”, thuhet në reagim.“KMDLNj kërkon nga Qeveria e Kosovës që në mënyrë lineare të subvencionojë shpenzimet e faturave të rrymës dhe shërbimeve tjera për aq sa do të ketë rritje të çmimit dhe sipas kriterit të vetëm, gjendjes ekonomike të konsumatorit”.“KMDLNj kërkon nga Qeveria e Kosovës që sindikatat t’i konsiderojë dhe trajtojë si partnerë, të bashkëpunojë me ta, të mos ndërhyjë në punën e sindikatave, kurse nga kryeministri Kurti kërkon që të takojë në baza të rregullta dhe çdo herë kur është e nevojshme udhëheqësit e sindikatave në mënyrë që të gjendet një zgjidhje më e lehtë për ta menaxhuar krizën duke evituar përshkallëzimin e situatës e cila nuk do ta zgjidhte asnjë problem”. “KMDLNj kërkon nga sindikatat të kenë mirëkuptim për situatën e rëndë, të tregohen më tolerantë duke e arritur një marrëveshje që do të zbatohej në përputhje me mundësitë reale. Asnjë përshkallëzim i gjendjes, nga cilado palë qoftë e që nuk përputhet me mundësitë, nuk do të zgjidhë asnjë problem përkundrazi kriza vetëm sa do të thellohet. Në mozaikun e krizës botërore, Kosova nuk mund të jetë përjashtim”, thuhet në reagim.