Dy mjekë kosovarë vdiqën këtë mëngjes nga Coronavirusi, reagon Ministri i Zemaj
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka shkruar sot pas lajmit se dy mjekë kanë humbur betejën me koronavirusin.
Zemaj në Facebook ka shkruar se shëndetësia kosovare sot ka humbur dy profesionistë të çmuar.
“Reumatologun Sylejman Rexhepi dhe kirurgun Ali Tolaj. Profesorin Rexhepi e pata vizituar personalisht gjatë trajtimit të tij në QKUK dhe në këtë ditë të ndarjes nga ai, jam I prekur nga vdekja e tij dhe kirurgut Tolaj. Ata, do t’u mungojnë familjeve të tyre, pacientëve dhe shtetit tonë, por vepra e tyre do të jetë një udhërrëfyes për brezat që vijnë, në veçanti për ata që do ta studiojnë mjekësinë”, shkroi Zemaj.
Tutje, ministri ka bërë thirrje për qytetarët që të kenë kujdes duke i zbatuar rekomandimet e institucioneve.
“Duke shprehur dhimbjen dhe solidaritetin tim të thellë dhe të Ministrisë së Shëndetësisë me familjet e tyre, u bëj thirrje popullatës që të rrisin kujdesin ndaj vetes dhe të tjerëve, sepse Covid-19, po dëshmon ditë e më shumë se është një kërcënim i madh për jetën e njerëzve. I përjetshëm kujtimi për profesorin Rexhepi dhe kirurgun Tolaj”, ka shkruar Zemaj.