Gjobitet me 1000 euro marketi që po shiste vajin 3.49 euro për litër, e në depo i kishte mbi një mijë litr
Inspektoriati i Tregut ka gjobitur me një mijë euro një market në komunën e Skenderajt. Biznesi në fjalë ka vendosur në rafte 122 litra, ku çmimi për litër ishte 3,49 euro, ndërsa në depo ai kishte 1.290 litra vaj ( dy prodhime të ndryshme), shkruan Gazeta Online Reporteri.net.Në aktvendimin e lëshuar, Inspektoriati i Tregut ka bërë të ditur se ky biznes është urdhëruar t’i largojë nga shitja vajin që kishte ekspozuar në rafte, derisa të kompletonin dokumentacionin e kërkuar, si faturat furnizuese dhe kalkulimin e çmimit shitës të produkteve. Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti tha se do të merren masat kundër abuzuesve.“Inspektorët janë duke bërë dokumentimin e të gjitha shkeljeve mirëpo unë nuk jam i udhëhequr vetëm nga ideja e ndëshkimit që duhet të ndodh por jam i udhëhequr nga parandalimi i dëmit që tashmë po shkaktohet, sepse ju e dini inspektorët marrin evidencë për shkeljet dhe më pastaj fillon procedura e proceset e ndëshkimit”, tha Kurti.Derisa në anën tjetër, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ftoi Prokurorinë e Shtetit të ndërmarrë menjëherë veprime ndaj atyre që po përfitojnë jashtëligjshëm. “Një kurdisje dhe orkestrim të të cilit po jemi dëshmitarë, është vepër penale e sansksionuar në mënyrë të dyfishtë, me burgim (1-5 vite) si dhe dënim shtesë me gjobë, bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Ftoj Prokurorinë e Shtetit, që bazuar në kompetencat kushtetuese dhe ligjore të përcaktuara, të ndërmarrë menjëherë veprime në përputhje me mandatin e tij, kundër abuzuesve që po përfitojnë paligjshëm që me veprimet e tyre po dëmtojnë qytetarët e vendit tonë”, ka deklaruar Haxhiu