Hoti del me propozim për Qeverinë: Vetëm kështu mund të luftohet inflacioni dhe varfëria 
Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Pakoja e Qeverisë Kurti për përballje me inflacionin, që u prezantua para një jave, është e vonuar dhe jo adekuate. Zgjidhja, sipas Hotit, është indeksimi i pagave, pensioneve, asistencës sociale dhe subvencioneve për normën e inflacionit. Për deputetin e LDK’së, një pako e tillë do të kishte kuptim në kohën e pandemisë, por se tash në këtë kohë kur çmimet po vazhdojnë të rriten, Hoti ka thënë se masat duhet të jenë sistematike dhe afatgjata.“Zgjidhje e qëndrueshme, edhe pse jo perfekte, mbetet indeksimi i pagave, pensioneve, asistencës sociale dhe subvencioneve sipas normë së inflacionit. Vetëm kështu do të ruhej fuqia blerëse e të ardhurave. Vetëm kështu parandalohet thellimi i varfërisë dhe rënia e cilësisë së jetesës.
Postimi i plotë i Hotit:
Pakoja për përballje me inflacionin është e vonuar dhe jo adekuate. Zgjidhja mbetet indeksimi i pagave, pensioneve, asistencës sociale dhe subvencioneve për normën e inflacionit.Pakoja për përballje me inflacionin që u propozuar nga Qeveria, e cila parasheh mbështetje të njëhershme për familje, do të kishte kuptim në kohën e pandemisë, kur familjet kishin nevojë për mbështetje të njëhershme për të përballuar rënien e të ardhurave gjatë muajve të mbylljes totale.Tani është e qartë se rritja e çmimeve do të vazhdojë edhe për disa muaj. Me gjasë, pas një kohe çmimet do të stabilizohen në nivele të larta. Prandaj, rënia e fuqisë blerëse e të ardhurave të familjeve nuk është e përkohshme dhe, rrjedhimisht, nuk mund të zgjidhet me masa të njëhershme. Masat duhet të jenë sistematike dhe afatgjata.Zgjidhje e qëndrueshme, edhe pse jo perfekte, mbetet indeksimi i pagave, pensioneve, asistencës sociale dhe subvencioneve sipas normë së inflacionit. Vetëm kështu do të ruhej fuqia blerëse e të ardhurave. Vetëm kështu parandalohet thellimi i varfërisë dhe rënia e cilësisë së jetesës.Kjo zgjidhje do të ishte lehtësisht e realizueshme në sektorin publik. Për më tepër, kjo nuk do të ngarkonte shumë buxhetin e shtetit, pasi të hyrat tatimore janë rritur proporcionalisht me rritjen e inflacionit.Ndërkaq, për sektorin privat do të duhej të rritej paga minimale me vendim të Qeverisë për tu reflektuar në rritjen e pagave të kategorive më të ndjeshme të punëtorëve që kanë paga të ulëta.