Familjarët e veteranëve të UÇK-së kërkojnë që pensioni të bëhet 260 euro
Këshilli Koordinues për të Zhdukurit dhe Krimet e Luftës në Kosovë, së bashku me Këshillin për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, kanë kërkuar nga Qeveria rritjen e pensioneve për familjarët e viktimave dhe veteranët e luftës.Ata kanë thënë se 170 euro në muaj, aq sa marrin këta familjarë, nuk janë të mjaftueshme, sidomos në këtë kohë krize, dhe kanë kërkuar që pensioni të rritet në 260 euro. Të dyja këto këshille patën kritika për Qeverinë, prej të cilës nuk kanë marrë përgjigje, edhe pas parashtrimit të kërkesave të tyre.Ahmet Grajqevci, kryetar i Këshillit Koordinues për të Zhdukurit dhe Krimet e Luftës, tha se këto kërkesa duhet të përfillen nga Qeveria dhe deputetët e Kosovës, të cilët siç ka thënë, “para se të ulen në karrigen e deputetit, apo të zyrtarit, duhet të mendojnë se janë ulur mbi eshtrat e atyre që nuk janë sot”. “Që nga fillimi, kjo çështje është renditur keq. Me 170 euro pagë, një familjar nuk mundet të jetojë ose të mbijetojë me tërë familjen. Kjo është e tmerrshme. Ne kemi kërkuar që sa herë që kjo të ndryshojë dhe që shtatë vjet është duke u punuar me një projektligj por ende nuk ka asgjë. Ne si Këshill Koordinues kemi kërkuar që paga minimale të jetë 260 euro, por pa e dëmtuar pagën bazë të kontributeve të pensioneve. Ky nuk është pension por ndihmë ndaj familjarëve që kanë humbur më të dashurit e vetë dhe kanë humbur fuqinë punëtore në shtëpinë e vetë”, ka thënë ai për Ekonomia Online.Sipas tij, deputetët janë fokusuar vetëm në përmirësimin e gjendjes së vetë financiare dhe se i kanë harruar ata që e sollën lirinë.“Deputetët po e rregullojnë gjendjen e vetë financiare, ekonomike dhe është mirë që deputetët të përballen me familjarët e personave të zhdukur dhe viktima të luftës e ta shohin ata mirë se si jetojnë me 170 euro. Unë besoj që natën nuk do ta bëjnë gjumin mirë. Para se të ulen në karrigen e deputetit, apo të zyrtarit, të mendojnë se janë ulur mbi eshtrat e atyre që nuk janë sot, sepse lirinë na sollën ata që nuk janë, por këta i kanë harruar ata”, ka thënë Grajqevci.Ndërsa, Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, ka thënë përveç se paga që marrin veteranët është e pamjaftueshme, ata përballen edhe me shumë probleme shëndetësore.“Të gjithë e dimë se sa është i mjaftueshëm një pension prej 170 eurosh, sidomos në këtë kohë krize. Ne e kemi diskutuar edhe më herët kur kemi pasur takime me kryeministrin dhe ja kemi paraqitur këto shqetësime tona. Kemi probleme me invalidë të luftës të cilët po përballen me proteza, me probleme shëndetësore. Ju kam adresuar me një kërkesë kryeministrit pikërisht për këto probleme. E kam pritur në zyrë këshilltarin e Kurtit dhe i kemi diskutuar të gjitha problemet dhe hallet dhe kemi kërkuar që të merren hapat nga institucionet në këtë drejtim”, ka thënë ai.Qeriqi ka shtuar ka pasur takime me kryeministrin Kurti, ku ia a paraqitur të gjitha kërkesat dhe shqetësimet, por sipas tij që disa vite kryeministri nuk ju ka dhënë përgjigje.Ai ka thënë se kërkesa e tyre është që veteranët të përfshihen në ligjin për pagën minimale.“Unë i kam pasur dy takime më herët me kryeministrin dhe i ka që dy vjet që ka ndodhur takimi i parë. Edhe së fundi e kemi pasur një takim para një viti. Edhe pse ja kemi paraqitur të gjitha ato kërkesa, ato shqetësime tona, nuk kemi marrë asnjë përgjigje pozitive. Po shpresojmë që më në fund do të reflektojë Qeveria duke pasur parasysh gjendjen e këtyre kategorive. Kemi kërkuar që të përfshihemi në ligjin për Pagën minimale, derisa është arsyetuar Qeveria se është duke e nxjerrë një ligj të veçantë, i cili do t’i trajtojë dinjitetshëm këto kategori, pra të përfshihemi në pagën minimale”, ka thënë Qeriqi.