Tërnava uron Krishtlindjen: Festat fetare tek ne gjithmonë kanë përçuar unitet e dashuri
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava i ka dërguar mesazh urimi ipeshkvit Dodë Gjergji me rastin e festës së Krishtlindjes.
Në mesazhin e tij Tërnava ka kuruar ipekshvin Gjergji dhe të gjithë besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjes duke ju uruar shëndet, mbarësi e lumturi.
“Me nderim e respekt të posaçëm, në këtë ditë të shënuar për besimtarët e krishterë, më lejoni që t’ju drejtohem me mesazh urimi e përgëzimi Juve, meshtarëve tuaj, si dhe të gjithë vëllezërve të krishterë, duke ju dëshiruar shëndet, mbarësi e lumturi. Festa e Kërshëndellës është moment i veçantë për besimtarët e krishterë, sepse në zanafillën e saj ka lindjen, shpresën e mbarësinë”, thuhet në mesazhin e myftiut Tërnava.
Tërnava tutje ka theksuar se festat fetare te ne, ashtu si edhe besimet tona, te populli ynë gjithherë kanë qenë momente të reflektimit, që kanë përçuar unitet, dashuri, mirëkuptim e harmoni, vlera këto të shtresuara thellë në identitetin tonë.
“Zotni Ipeshkëv, përmes jush, uroj e përgëzoj edhe të gjithë praninë ndërkombëtare katolike në Kosovë. Duke ju përshëndetur, ju dëshiroj shëndet, mbarësi e lumturi”, shkruan myftiu në mesazhin e tij drejtuar ipeshkvit.