Kur deti trazohet-Nga trazirat tek paqja: çfarë na mësojnë stuhitë e shpirtit;-Shkruan;Mrs Nazmije GASHI,psikologe

Ka ditë kur jeta është si një det i qetë, ku çdo valë na përkëdhel me butësi. Dhe ka ditë të tjera kur gjithçka trazohet, ndërsa brenda nesh zgjohet një stuhi që nuk dimë si ta ndalim. Sot është një nga ato ditë.
Deti nuk flet me pëshpëritje. Ai ulëret.
Valët ngrihen si male të bardha shkumë dhe përplasen në brigje me një zemërim të lashtë. Era shpon ajrin, sikur kërkon t’i marrë frymën çdo gjëje që i del përpara. Në këtë trazim fshihet një e vërtetë e thjeshtë, por e thellë: deti nuk mund të rrijë gjithmonë i qetë. As shpirti.
Kur emocionet e pashprehura marrin forcë, ato bëhen dallgë. Ankthi, dhimbja, hutimi, të gjitha përplasen brenda nesh, duke na tunduar të ikim e të mbyllim sytë. Por deti i brendshëm nuk na lë; ai na fton t’i shohim dallgët drejt në sy.
Poshtë kësaj stuhie, në thellësitë e heshtura, gjendet një ujë i qetë e i kthjellët, thelbi ynë i papërlyer nga frika dhe trazirat e përkohshme. Për ta gjetur, duhet guxim: të notojmë mes dallgëve dhe të kuptojmë se forca e tyre nuk është armiku ynë, por gjuha me të cilën shpirti flet.
Stuhia nuk është fundi i detit. Është frymëmarrja e tij e rëndë para qetësisë. Dhe kur dallgët të bien, ne nuk do të jemi më të njëjtët. Do ta njohim më mirë detin… dhe më mirë veten.
“Dallgët e trazuara nuk vijnë për të na fundosur, por për të na mësuar si të ecim mbi ujë.”
Si të menaxhojmë dallgët tona të brendshme:
1. Prano emocionin – mos e moho; emërtoje.
2. Merr frymë ngadalë – qetëso trupin edhe kur mendja është në stuhi.
3. Kërko kuptimin – pyete veten çfarë po të tregon ky emocion.
4. Mos u izolo – ndaje me dikë të besuar.
5. Kujdesu për trupin – gjumë, ushqim i rregullt dhe lëvizje fizike.
/QendraPress/