Çaste poetike me poeten:-Adelina Dardha HASKAJ

Heshtja e mbrëmjes
——————————–
Rri pezull midis dritës dhe meje
si një frymë që s’guxon të prishet.
Në dritare
era rrëfen historitë e ditës,
e unë i dëgjoj
pa pyetur më askënd.
Zëri im ka mbajtur frymën,
fjalët kanë gjetur strehë në duar,
dhe dora ime hesht
si një zog që s’di të fluturojë më larg.
Vertiku më sillet
me marramendje,
dhoma është ndezur
nga dritat e shuara.
Liria ime bredh e lirë
nëpër errësirë, duke më shfaqur
karuselet që rrotullohen,
në kyçin e dorës
prangat më lënë shenjë
rritjen,
gjersa gjej
hendekun e zbrazëtirës së dritës
prej syve të errësirës.
Është pak vonë
për të folur pak gjatë,
për mbrëmjet e zhurmshme
ku zërat dalin lakuriq
prej guackave,
dhe mbrëmjet modane qe
kanë shampanjë që pihet
me gota kristalesh,
dhe dashuri me përemra vetore
që nuk zbehen
në asnjë cep dhome,
apo errësirë pa emra,
dhe zhurrma që kurrë nuk dëgjohen.
Heshtja më mban të palëvizur,
derisa nata shkon e qetë,
dhe fryma ime vetëm
ndjek… ndjek… ndjek.
/QendraPress/