Çaste poetike me poeten;-Hatixhe Çollaku ADEMAJ

Rrezja e fundit e vjeshtës
————————————–
Vjeshtës iu luta: “Aman, duro pak,
mos e lër të ikë këtë diell verak,
se të ftohtin e shpirtit s’di si ta duroj,
kur më s’e kam nënën të më përqafojë.
Retë turivarura, qielli i ngrysur,
si shpirti im, përmbys e i molisur,
vajin si shi vjeshte s’e ndali dot,
më s’e di a është shi, a janë lot.
Por si rreze vjeshte, një kujtim më zgjon,
kur të dyja pinim kafenë në ballkon,
kur flisnim e qeshnim, si dy shoqe të mira,
si nanë e si bijë, me zemrat e lira.
Kafenë më s’po mund ta pi dot,
pa m’u mbushur të dy sytë me lot,
as diellit rrezet s’po ia duroj dot,
as shiut pikat që më ngjajnë me lot.
E prapë, moj nanë, në ballkon dal,
me filxhanin në dorë, me mallin po rri,
e kthej kokën lehtë, mos ndoshta je aty,
me atë buzëqeshjen që ma falje ti.
E karrigia jote në pritje mbeti
sikur do të kthehesh si dikur nga gyrbeti
të ulemi bashkë, si dikur, të dyja,
e të vie prapë gëzim pranvere shtëpia.
Por veç era fryn e gjethet bijnë,
e kujtimet e tua zemrën ma ngrijnë,
dhe rrezja e fundit që vjeshta ma fal,
ma sjell fytyrën tënde edhe njëherë pranë
/QendraPress/