E diela poetike me poeten:-Emine Konushevci -DURMISHI

HESHTJA QË TROKET
——————————
Sonte shiu troket pikë-pikë në dritare,
si një zë i vjetër më vjen dhe përsëritet;
nga kohë të largëta më sjell kujtime,
kur lotët, si shiu, me fytyrën puthiten.
Sa kohë ka kaluar, dhe prapë se prapë,
asgjë s’është tretur në mjegullën e viteve;
ato çaste rrinë ende, të ngrohta e t’njoma,
si pikat që rrëshqasin sonte n’dritaren time.
Dhe shiu sonte flet me heshtjen e vet,
sikur etjen e mallit të kohës e shuan;
heshtja e tij më shumë se fjalët thonë,
kur zemra lodhet dhe kujtimi s’pushon.
Dhe ndonjëherë mendoj se shiu e di,
i njeh çdo heshtje, çdo dhimbje e mall;
prandaj troket ngadalë, pa zë e pa fjalë,
risjell atë që zemra e ruan si të gjallë.
Mundohem çdo pikë shiu ta numëroj,
dhe kohën e saj me emër ta pagëzoj…
/QendraPress/