Çaste poetike me shkrimtaren;Migel FLOR

Ese filozofike.poetike
Do të marr ujin e syrit
Dialog
Dikush më tha: “Do të ta marr ujin e syrit.”
Dhe ti nuk u trembe?
Jo. E di që uji i syrit nuk është thjesht ujë.
Ai është një masë e lëngshme, një grimcë e shpirtit që ka mësuar të rrjedhë.
Nuk rri i mbyllur në oazin e syrit; ai është udhëtar.
Ku udhëton?
Nëpër trup, në tunelet e fshehta të shpirtit.
Avullon pa arritur kurrë në njëqind gradë, ngjitet në mushkëri,
futet në frymëmarrje duke kundershtuar ligjin e vlimit..
Pastaj zbret sërish ushqen lëkurën, prek kërthizën,
bëhet një lumë që di të gjejë rrugën e vet edhe në terre..
Pra, loti është më shumë se dhimbje?
Loti është orgazma e shpirtit.
Është çasti kur brenda nesh ndodh një shpërthim memeci..
kur kaosi bëhet i përkryer dhe mendimi dorëzon armët..
Në atë pikë, njeriu nuk mendon ai përjetohet.
Po syri? Çfarë është syri në këtë filozofi?
Një dritare ku drita nuk hyn vetëm… por edhe del.
Një sinjal biomagnetik në një qelizë ujore,
një univers i vogël ku një lot mund të mbajë një galaktikë.
Prandaj zbret mbi faqe?
Po. Sepse edhe yjet bien ndonjëherë.
Bishti i syrit është si një konstelacion i fshehur,
një kujtim i largët i Rrugës së Qumështit.
Loti ndjek atë hartë të njohur..
zbret mbi faqe, ndalet në buzë,
dhe aty bëhet dridhje..lumë që rrjedh mbi tokë të përvëluar..
Dhe më pas?
Më pas, ai derdhet mbi trup si një rrëfim.
Gjinjtë e marrin dhe e kthejnë në stërkala
si yje që e rikthejnë udhën e tij në një rrugë qumështi të re.
Atëherë… çfarë do të thotë “të ta marr ujin e syrit”?
Do të thotë të të prek në thelb.
Të pi jo dhimbjen tënde, por të vërtetën tënde më të pastër.
Të hyj aty ku shpirti nuk gënjen dot më.
Është dashuri apo pushtim?
Varet…
Nëse e merr për të jetuar është dashuri.
Nëse e merr për ta zotëruar, është pushtim.
Dhe ti?
Unë nuk dua të ma marrin ujin e syrit.
Dua që dikush të dijë ta ndjekë rrjedhën e tij…
pa e ndalur.
Migel Flor
/QendraPress/