Fryma poetike e së dielës me poeten:-Manushaqe Hoxha LAÇI

Burgu i padukshëm

—————————-

Mbaj në duar disa çelësa pa zë,

të ftohtë si netët që s’kanë mbarim,

nuk hapin më asgjë…e megjithatë,

më rëndojnë si një emër pa kthim.

Si plagë që s’u mbyllën kurrë, i mbaj,

si përgjigje që mbetën në ajër pezull,

si hapa që humbën në terr e në vaj,

si një “pse” që më ndjek në çdo shteg të mjegullt.

Dhe brenda meje ka korridore të gjata,

pa mure, pa dritë, pa zhurmë reale,

veç dyer të mbyllura nga dhimbje të thata,

ku kujtimet bëjnë roje në natën fatale.

Aty lind ankthi…i butë në fillim,

si një hije që endet pa u ndjerë,

pastaj bëhet plagë në shpirtin tim,

si jehonë e heshtur që s’të lë të qetë.

Me hap të rëndë si armik nuk vjen,

por si jehonë e një nate të vjetër,

si një plagë që përbrenda ndizet thellë,

e të pëshpërit: ‘S’ke për t’u bërë tjetër!”

Dhe në atë përplasje dere ti jeton,

që në mes të rrugës të theu dikur,

duke mbajtur në shpirt çdo iluzion,

si një ligj i heshtur që të mban të lidhur.

Por jo…nuk je më ai çast i ngrirë,

as ajo hije që dikur u tremb,

ti je frymë e gjallë e ripërtërirë,

kur gjithçka tjetër u duk se u shemb.

Ka çelësa që duhet të hidhen si gur,

jo se s’kanë patur peshë e vlerë,

por dyert e shpirtit s’hapen më si dikur,

veç plagëve që mbeten pa zë në terr të mjerë.

Të lësh pas nuk është të harrosh,

por dhimbjes të mos i japësh më fuqi,

me zë të qetë vetes t’i kujtosh:

“Kjo më ndodhi…por s’jam më aty.”

E tashmja rri si një derë e gjallë,

që nuk çelet me frikë në sy,

por me një zemër ende të vrarë,

që prapë vendos të ecë për ty.

Dhe nëse duart të dridhen pak,

kur prek një dorezë që s’e njeh,

mos u kthe, se në tëndin gjak,

është shenja që duke u shëruar je.

Dera që sot të duket e rëndë,

nuk fsheh një humnerë pa kthim,

por një jetë që pret të të njohë,

pa zinxhirët e vjetër të mbetur në kujtim.

Se ti nuk je më rob i asaj që kaloi…

por je forca që mbi dhimbjen fitoi!

/QendraPress/