Çaste poetike me poeten;-Farida Zmijani RAMADANI

Jam Po Ajo
—————————
Jam po ajo…
Që dikur në lagje mbretëroja mes fëmijësh plot hare,
Me tepsi e lugë krijonim ëndrra, këngë pa skenë e pa perde.
Jam po ajo…
Që sfidova botën për sportin që zemra ma kërkonte,
Edhe kur fjala “vajzë” me kufij padrejtësisht rrethohej e gjykonte.
Jam po ajo…
Që respektin e fala pa pyetur për emër a pasuri,
Sepse njerëzimi ka veç një gjuhë — zemrën dhe mirësinë.
Jam po ajo…
Që pranë burrit tim ndërtova dashuri me durim e besnikëri,
Dy shpirtra që ecën bashkë, në stuhi e në qetësi.
Jam po ajo…
Që rrita fëmijët si thesarin më të shtrenjtë në jetë,
Dhe sot me kokën lart buzëqesh, se dashurinë e kam të vërtetë.
Jam po ajo…
Mësuesja që mbolli dije, ëndrra dhe frymëzim,
Që në çdo nxënës lash pak dritë e pak nga shpirti im.
Jam po ajo…
Që mbajta familjen pranë me durim e ngrohtësi,
Sepse dashuria e tyre më dha forcë në çdo vështirësi.
Jam po ajo…
Që në shoqëri gjeta respekt, vlerë e mirësi,
Dhe çdo hap e hodha, me zemër plot fisnikëri.
Jam po ajo…
Që vitet i mbaj si medalje në flokët me thinja të arta,
Se çdo rrudhë fsheh një histori, një fitore të gjatë.
Jam po ajo…
Që zgjohem çdo mëngjes me besim e shpirt të qetë,
Duke i falur buzëqeshje jetës… e jetuar çdo çast si dhuratë e vërtetë.
/QendraPress/