Çaste poetike me poetin;-Enver SAHITI

AMANETI
————————
Nuk e di kur do të vijë ajo ditë.
Ndoshta në një mëngjes
kur drita të hyjë qetë në dhomë,
ndoshta në një mbrëmje
kur fjala ime të jetë
duke kërkuar një varg të ri.
Por e di…
Një ditë do të vijë heshtja.
Dhe kur unë të mos mundem më të flas,
kur zëri im të mbetet në kujtimet tuaja,
dua që këtë fjalë ta dëgjoni përpara se të jetë vonë.
Mos më ndryshoni pas vdekjes.
Mos më bëni atë që nuk kam qenë në jetë.
Mos më mbuloni
me atë që nuk e kam kërkuar,
me atë që nuk ishte pjesë e rrugës sime,
e mendimeve të mia,
e mënyrës sime për ta parë jetën dhe botën.
Unë kam qenë ky që jam.
Kam qeshur siç kam ditur.
Kam qarë në heshtje.
Kam mbajtur plagë që nuk i kanë parë të gjithë.
Kam dashur.
Kam gabuar.
Kam falur.
Kam shkruar.
Dhe kam jetuar me gjithçka
që kam pasur brenda vetes.
Prandaj, kur të mos jem më,
mos u përpiqni të më bëni tjetër.
Mos më shtoni atë që nuk e kam kërkuar.
Mos më hiqni atë që më ka qenë pjesë e shpirtit.
Sepse edhe vdekja ime është e imja.
Edhe heshtja ime ka të drejtën e amanetit.
Dhe në atë çast të fundit,
kur trupi im të mos mundet më të kundërshtojë,
të lutem…
mos e lër askënd të flasë në vendin tim.
Nëse më ke dashur,më përcill ashtu siç kam qenë.
Mos më mbulo me simbole që nuk i kam zgjedhur.
Mos më vish me një identitet që nuk ma ka njohur jeta.
Mos më vendos mbi trupin tim asgjë që nuk e kam dashur.
Vetëm flamurin tim.
Atë flamur që nuk më ka qenë i huaj.
Atë flamur që e kam mbajtur në zemër jo vetëm në duar.
Atë flamur që më kujton
tokën ku kam lindur,
nënën që më rriti,
gjuhën që ma mësoi
fjalën e parë,
historinë që ma la amanet dhimbjen dhe krenarinë.
Atë flamur që për mua nuk është vetëm ngjyrë.
Është kujtim.
Është rrënjë.
Është emër.
Është pjesë e asaj që kam qenë.
Dhe kur të shtrihem
për herë të fundit,
kur të mos kem më mundësi të shkruaj një poezi,
Atëherë kur s’them një fjalë,
të kundërshtoj apo të kërkoj,
atëherë…
më dëgjoni në heshtje.
Mos më bëni tjetërn ga ai që kam qenë.
Mos më mbuloni me atë që nuk më përket.
Lëreni trupin tim të pushojë në paqe,
ashtu siç kam jetuar me zgjedhjet e mia.
Dhe nëse duhet të kem diçka
mbi vete në atë udhëtim të fundit,
le të jetë flamuri im.
Jo si sfidë ndaj askujt.
Jo si urrejtje ndaj askujt.
Por si dëshira ime.
Si fjala ime e fundit.
Si amaneti im.
Sepse unë nuk dua që në çastin kur të mos jem më,
dikush të vendosë mbi mua
atë që unë nuk e kam zgjedhur
në jetën time.
Dua të largohem
ashtu siç kam ardhur në këtë botë:
si unë.
Me emrin tim.
Me shpirtin tim.
Me kujtimet e mia.
Me dashurinë time.
Me dhimbjet e mia.
Me vargjet e mia.
Dhe me atë flamur,
edhe kur unë të mos kem më zë,
do të flasë në vendin tim.
Ky është amaneti im.
Jo për të tjerët.
Për mua.
/QendraPress/