Çaste poetike me poetin;-Gëzim AJGERAJ

MBIJETESA
(Babait tim, dy herë rob lufte)
——————————————–
Mëngjesi u çel si plagë e re,
me krrokamën e një bote që s’di të zgjohet në paqe.
Asnjë këngë nuk guxoi të ngrihej në ajër,
zogjtë kishin fshehur frymën,
gëzimet qenë stolisur me zinxhirë,
dhe vetëm korbat shkruanin me krahë
emrin e vdekjes mbi çatitë e zhveshura.
Oborri rrotullohej si një rreth i ngushtë drite të fikur,
dhe krismat vareshin në degët e erës
si fruta të prishur nga dora e një stine të marrë.
As oxhaqet nuk gufonin më,
tymrat i kishin marrë kulmet,
i kish zjarrosur dorëgjakësi i largët i Karpatëve,
për qejfin e tij të zi,
për hijen që kërceu në Kalamegdan
si bishë e uritur për shkatërrim.
Dhe në mes të gjithë asaj zymtie,
një plis i bardhë rrinte i palëkundur,
i ngulur në tokë si besë e lashtë,
si gur që mban një komb të tërë mbi shpinë.
As stuhitë, as grykat, as tehët e hekurit
nuk i hynin dot në zemër,
as vdekja që sillte litarin rreth qafës
nuk ia tundte peshën e shpirtit.
Këmbët i kish mbërthyer thellë
në tokën ku gjyshërit iu flijuan erërave,
dhe rrënjët i ngriheshin nga gjaku i të parëve
si shtylla drite në mjegull.
Ai nuk u drodh, as kur qielli u thye mbi supet e tij,
as kur bota u kthye në skëterrë përreth.
Ai i mbijetoi furtunës,
ia pa sytë, ia njohu dhëmbët,
dhe s’e lëvizi as qerpikun.
/QendraPress/