Çaste poetike me poeten;- Aferdita MERO

𝐊𝐎𝐑ÇË, 𝐀𝐑𝐎𝐌Ë 𝐒𝐄𝐑𝐄𝐍𝐀𝐓𝐀𝐒𝐇

Një tufë lulesh,
shumëngjyrëshe,
në heshtjen e një fotografie,
dhe befas,
një qytet më çeli në shpirt.
Korçë…
Aromë bliri nëpër rrugica,
mbrëmje të veshura me këngë,
kitara që zgjojnë dritaret,
dhe zemra që rrahin
në ritmin e një serenate.
Atje, ku nata
nuk është kurrë krejt e heshtur,
ku malli merr zë,
dashuria bëhet këngë
dhe hëna zbret ngadalë
mbi çatitë e vjetra.
Korçë e bukur,
me hiret e vajzave
që pranverën e mbajnë në sy,
me njerëz fisnikë,
që fjalën e kanë nder
e mikpritjen derë të hapur.
Djep i dijes,
vatër e kulturës shqiptare,
ku shkronjat u bënë dritë
dhe ëndrrat mësuan
të flasin shqip.
Të quajtën
Parisi i vogël i Shqipërisë,
por ti ke një gjuhë tënden,
një këngë që s’e përkthen askush,
një bukuri që nuk kërkon stoli,
një shpirt që nuk plaket.
Dhe unë, larg teje,
përmes disa luleve në fotografi,
ndjeva sikur hapa portën
e një qyteti që këndon.
Se ka qytete
që i njeh nga harta,
ka qytete që i sheh me sy,
por ka edhe të tjerë
që të hyjnë në zemër
pa trokitur….
Korçë,
një i tillë je ti.
Një serenatë që endet nëpër kohë,
një trëndafil në kujtesën e vendit,
një copëz Shqipërie
që lulëzon në shpirt
dhe nuk vyshket kurrë.
/QendraPress/