Çaste poetike me poeten;-Leonora N. LOKAJ

SA SHUMË SHKROVA PËR TY
—————————————
sa herë shembej portreti yt
nxeheshin valë mollëzat e skuqura
shiu i zhgënjimit
pikonte çative të grisura të shpirtit
sa herë që duan
ia presin kërthizën historisë sonë
sa herë që duan
e varrosin edhe solemnisht
art i bukur apo jo?
ti hesht s’të dhimbset vetja
unë as ajo
ta dish ëndrrat që vlojnë shpejt digjen
narratori i poemës i ha shkronjat e veta
dhe nga hiri i dorëshkrimeve të mbetura
qëndiset një qefin
për vdekjen e radhës
qefinët e bardhë si peshqirët e nënave
që i ruajnë për vdekjet
ndërrojnë fytyrë e bëhen futë
si sytë e kësaj kohe pa emër
mos vdis
mos u dorëzo
mos lejo t’i rrotullojnë gjymtyrët
pikturat t’i blejnë shtrenjtë për
muzeun e turmës kuptohet për kujtesë
për të ma kujtuar mua dhe asaj
se ti zgjodhe vet këmishën e vdekjes
sa shumë shkrova për ty grua
Helenë e krisur
mos vdis që në ëndrrën e parë
nuk dua që me ty
të më vdes edhe poezia
si gjethet e venitura të vjeshtës thinjëdalë
/QendraPress/