Ministri Likaj: Mësimdhënësit me probleme shëndetësore të mos marrin pjesë në procesin mësimor
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ka deklaruar që mësimdhënësit që kanë probleme shëndetësore nuk duhet të marrin pjesë në procesin mësimor, për të cilin sot është marrë vendim që të shtyhet për 14 shtator, njofton Insajderi.
Këto deklarata Likaj i bëri pas takimit të jashtëzakonshëm që pati me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, përfaqësuesit e SBASHK-ut dhe drejtorin e Institutit të Shëndetit Publik, Naser Ramadani.
“Pakoja ekonomike që është miratuar dje parasheh që mësimdhënësit me probleme shëndetësore të mos marrin pjesë në procesin mësimor, të kujdesen për shëndetin e tyre. Janë ndarë mjete buxhetore për mbulimin e shpenzimeve të këtyre mësimdhënësve. Kjo pako buxhetore do t’u ndahet komunave për kokë të nxënësve. Një pjesë e kësaj pakoje do t’u shpërndahet komunave për mjete mbrojtëse për respektimin e udhëzimeve të institucioneve shëndetësore, ndërsa një pjesë tjetër për psikologë dhe pedagogë dhe për punëtorët ndihmës”, është shprehur Likaj.
Viti shkollor 2020/2021, i cili është paraparë të fillojë më një shtator, është shtyer për 14 shtator.