Çaste poetike me poeten:-Brixhilda DEDE

NËN LËKURËN TËNDE
————————————-
Nën lëkurën tënde ndizet një dritë
që nuk e shuajnë as detet,
as frika, as koha.
Është dritë që futet nën rrobat e mendjes,
nën qetësinë e shpirtit tim,
dhe ndez çdo gjë që preket.
Prekja jote s’është thjesht prekje,
është një flakë e butë që di të djegë pa më vrarë,
që më mëson se trupi ka kujtesë më të thellë se mendja.
Çdo gishtëzim i yt flet:
“Dorëzoju nxehtësisë…aty fillon e vërteta.”
Mornicat më vrapojnë në shtyllën e shpirtit,
ngriten si valë, bien si dritë,
dhe në çdo kthesë ndiej urinë tënde të ëmbël,
atë që e njohin vetëm ata që kanë dashur me gjithë trup.
Depërtimi yt brenda meje
është ritual i heshtur,
ku simfonia e Beethoven-it shndërrohet në rrahje zemre,
dhe rrahjet kthehen në filozofi të zjarrtë:
njeriu kuptohet vetëm kur digjet.
Pëlhura jote më shtrëngohet rreth
kraharorit si natë me aromë trëndafili,
dhe unë ndiej se si shpirti më hapet ngadalë,
ashtu si gonxhja që preket për herë të parë nga dielli.
Imazhi yt më shkrin në ar të nxehtë.
Epi në lëkurën time fuqinë tënde që
vlon nën hije të heshtura,
pastaj më lë në një lloj dehjeje të ëmbël,
si re që më mbështjell
e më thotë se mungesa jote është një
lloj urie që nuk ngopet kurrë.
Engjëjt e tu janë prej zjarri,
jo prej rrezesh.
Ata më ç’armatosin, më zhveshin nga frika,
bëjnë që aroma jote të ngjitet në lëkurë
si një lutje që s’dua ta shqit.
“Zot, pse kaq shumë nxehtësi në një trup të vetëm?”
përsëris me vete,
dhe përgjigjja është ti.
Ti je dhimbje e ëmbël,
heshtje që tundet,
vetmi e mbushur me rrahje,
lumturi që më rrëzon në gjunjë.
Do të zhytem në thellësitë e tua,
jo për t’u gjetur,
por për t’u humbur.
Të mbytesh tek vala jote
është emri tjetër i lumturisë që
nuk ka frikë nga zjarri.
Qiejt marrin frymë ndryshe
kur kalojmë bashkë,
sepse aty ku lëkura takon lëkurën,
nis një univers që nuk ka emër.
Ka mall, po,
mall që nuk fiket,
mall që kërkon të digjet përsëri.
/QendraPress/