Çaste poetike me poeten;-Esmeralda BREGAJ

Ma, më ka marrë malli
——————————-
Ma, më ka marrë malli
Të t’i shikoj duart e vogla,
Të mitura, të paçlodhura,
Të palodhura,
Të shkruara nga koha.
Ma, më ka marrë malli
Të të mbaj erë
Aty te qafa, kur merr kthesë,
E më sjell pranverë,
Një fushë me verë,
E dehem pa pirë,
E mbushem me frymë që pa u gdhirë!
Ma, më ka marrë malli
Për fytyrën e shkarravitur,
Vetullat me laps ngritur,
Buzët me mjaltë vaditur,
Hir perëndie, xhamadan dhuruar
Mbas supeve si gjerdan i ndritur.
Ma, më ka marrë malli
Për zërin,
Për atë Shqipe që del nga oxhaku,
Kthehet në Labëri,
Ngjyer në gjuhën e xhanit,
Të të parëve
E të vatanit.
Ma, më ka marrë malli
Të të them…
Të dua
Si uji i kroit
Kur të lag te buza,
Si kafja e mëngjesit
Pa raki e pa lavdi.
Të dua, moj nënë, mos paç kurrë pleqëri,
U mplakshin malet para teje!
/QendraPress/