Çaste poetike me poetin;-Bedri HALIMI/XHEVAT BERISHA – KOMANDANTI QË U BË FLMUR.

XHEVAT BERISHA – KOMANDANTI QË U BË FLMUR
——————————————————-
Në përvjetorin e Epopesë së Vërrinit
Shtatori erdhi përsëri në Vërrin,
me hap të rëndë mbi gurë e mbi ara,
dhe toka hapi kujtesën e saj
atje ku pushka foli
kur heshtja nuk mjaftonte më.
Ishte një shtator
që nuk numërohej me ditë,
por me plagë,
me krisma,
me burra që e kishin vendosur
se prapa tyre
nuk kishte më kthim.
Dhe mes tyre
Xhevat Berisha!
Jo emër që priste
ta shkruante dikush në histori,
por burrë që historinë
po e shkruante vetë
me çizmet mbi tokën e Vërrinit,
me pushkën në dorë
dhe Kosovën në zemër.
Komandant!
Sa e rëndë është kjo fjalë
kur duhet ta dëshmosh në betejë!
Nuk mjafton grada,
nuk mjafton urdhri,
nuk mjafton të thuash:
– Përpara!
Komandanti i vërtetë
është ai që ecën i pari.
Dhe ti ece.
Përpara teje ishte armiku,
pas teje shtëpitë,
nënat,
fëmijët,
Vërrini,
Çfarë tjetër mund të bënte një burrë
kur pas shpine kishte atdheun?
Të tërhiqej?
Jo!
Sepse kishte ardhur ajo kohë
kur edhe vdekja
duhej parë drejt në sy.
Nga një shtator
deri më katër shtator
Vërrini nuk ishte vetëm trevë.
Ishte kështjellë.
Çdo kodër – istikam,
çdo gur – dëshmitar,
çdo shtëpi – një plagë,
çdo luftëtar – një betim.
Dhe kur toka u drodh
nga zjarri e baruti,
ti nuk pyete:
– A do të mbetem gjallë?
Pyetja ishte tjetër:
– A do të mbetet Kosova?
Prandaj qëndrove.
Deri aty
ku njeriu ndahet nga jeta
dhe hyn në kujtesë.
Ra trupi.
Por komandanti nuk ra.
Sepse ka rënie
që janë më të larta
se çdo ngritje.
Atë ditë
Vërrini të mori në gjirin e vet
dhe të bëri pjesë të tokës
që mbrojte.
Që prej asaj kohe,
kur shtatori zbret mbi Prizren,
nuk vjen vetëm stina.
Vijnë krismat e largëta,
vijnë shokët,
vijnë emrat e të rënëve,
vjen një ushtri kujtimesh
që nuk çarmatoset kurrë.
Dhe në krye të saj
ecën përsëri komandanti.
Xhevat Berisha!
Sot nuk të thërret vetëm familja.
Të thërret Vërrini.
Nuk të kujton vetëm një datë.
Të kujton liria.
Sepse liria ka një zakon të çuditshëm:
kur vjen,
njerëzit shohin flamurin;
por poshtë tij
janë hijet e atyre
që nuk arritën ta shohin
ditën për të cilën luftuan.
Ti ishe njëri prej tyre.
Prandaj,
sa herë të vijë shtatori,
le të ndalet pak era mbi Vërrin,
le të heshtin malet një çast,
le të ulet flamuri mbi varre
jo nga pikëllimi,
por nga nderimi.
Sepse aty prehet një komandant
që atdheut nuk i tha: “Shkoni!”
I tha: “Ejani pas meje!”
Dhe shkoi i pari.
/QendraPress/