Çaste poetike me poetin;-Gazmend BEQAJ

LUTJA E VËLLËZËRVE

———————————-

Mos lejo kurrë

Të ndalet tymi i oxhakut moj nënë

ta dimë ne vëllëzërit se është një vend

ku s’ndalet zjarri s’ik ngrohtësia

derisa krejt të harlisur me hallet e jetës

ndjekim hijet e dritave të largëta …

Mos e lë kurrë

pa e shtruar sofrën moj nënë

me bukë të pakët e zemra plot

ta kemi ne vëllëzërit një vend

ku mund ta shuajmë etjen

me ujët e njomë

të moshës së vonë

derisa në heshtje grindemi me fatin …

Mos e largo kurrë

buzëqeshjen nga fytyra moj nënë

të ketë për ne vëllëzërit një diell

edhe atëherë kur duket

sikur qielli po zvogëlohet

e hijet e zeza

po vizatohen kudo hapësirës…

Mos e mbyll kurrë

derën e shtëpisë moj nënë

në pragun e saj jeton kujtimi yt

pas saj buzëqesh fytyra jote

duart e tua që rritën jetë

dhe një vend ku të mallëngjyer

mund të të kthehemi sa herë duam

të përqafojmë kujtimin për ty

moj nënë

/QendraPress/