Çaste poetike me poetin;-Hatip HULAJ

VENDLINDJA

—————————

Shkova në vendlindje t’i shoh gjurmët e mia,

t’i shoh vendet ku më mbeti fëmijëria,

pashë dyer të kyçura me dry në shumë shtëpia,

barëra të thata ishte mbushur edhe avlia.

Dola në ara dhe livadhe,

ishin të pakositura dhe të pashkelura,

kështu kishin mbetur që nga pranvera,

u ndala dhe në imagjinatë i pyeta:

pse keni mbetur kështu të shkreta?

Pronari, më thanë, ka humbur rrugën e kthimit,

është diku në kantieret e ndërtimit,

atje larg, në metropolet e Perëndimit.

Më thanë: s’ka kush as të na kullotë,

s’ka mbetur këtu as dele as lopë.

Edhe lumenjtë ishin hidhëruar,

shkonin pellgut duke gurgulluar,

s’donin me mua me biseduar.

Gjethet në male lehtë fëshfërinin,

nuk donin me sy të më shihnin,

ishin mësuar në vetmi të qëndronin,

vetëm zogjtë e malit shoqëri u bënin.

/QendraPress/