Çitaku: Kryeministri po flet për rritje ekonomike sikur mos me jetu në Kosovë

                 Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, është kapur për deklaratat e kryeministrit Kurti për rritje ekonomike, duke thënë se ai po flet “sikur mos me jetu në Kosovë”.Për Çitakun, është shumë e thjeshtë të zbërthehet (mos)rritja ekonomike, duke i krahasuar kushtet për jetesë sot, me ato të para 3 vitesh, shkruan gazeta online Reporteri.net.“Kryeministri po flet për rritje ekonomike sikur mos me jetu në Kosovë. Pyetja është shumë e thjeshtë, a jeton më mirë një familje në Kosovë sot, apo para 3 vitesh. Me pagën që e merr një mësues, polic, mjek, zjarrëfikës, a arrinë të mbulojë shpenzimet bazike?”, shkroi Çitaku në Facebook.Tutje, ajo theksoi edhe vendimin zyrtar sot të ZRrE-së, për rritje të çmimit të energjisë elektrike për 15%.“Vetëm çmimi i energjisë sot është rritur sërish edhe për 15%. Dobët. Shumë dobët”, tha tutje.Kryeministri i vendit, Albin Kurti, prej kohësh thotë se në Kosovë ka rritje ekonomike qysh prej ardhjes së tij në Qeveri.I njëjti tha sot në Klan Kosova se rritja e çmimeve të produkteve bazë ka ndodhur pjesërisht si pasojë e pamundësisë së miratimit të projektligjit për vendosjen e çmimit tavan, të cilin opozita e ka dërguar në Kushtetuese. “Po ta kishim Ligjin për tavanin e çmimeve, që nuk çohet në Gjykatën Kushtetuese siç ndodhi, sot nuk do t’i kishim këto çmime të larta”, deklaroi shefi i ekzekutivit. /Reporteri.net/.