Fryma poetike e së dielës me poeten;-Barie ÇUPI

Koha e stuhive
————————-
Në bërrylin e kthesës së fundit,
i latë të përpëliteshin ngjarjet,
nuk pati më fytyra të maskuara,
i zbehtë,
gërdallë,
si goja e një krimbi që i varen jargët,
fjalët i kishin marrë arratinë,
nëpër avujt e ajrit të vetndotur.
Përqafur me djajt e rrugës,
pamja mashtruese ia gënjente gjestet,
as brengë,as shpresë nuk i dilte përballë,
e t’ia shpupuriste sadopak mendimet e errëta,
e mahniste vetëm një delir,
që bënte ecejakjen në mendjen e tij,
ngjyrat e pikturave iu kthyen në tablo famëkeqe,
bënte të fortin,
të diturin e denjë me cikle ogurzeza,
gjelbërimet i ktheu në amëshim të tekave të tij,
oazet e qeta,natyrës ia betonizoi,
burimet e freskëta të ujrave i thau,
i mbarsi të gjitha me dështimet e
ëndrrave të tij njëbrirëshe.
Eh,ç’paskeni qenë!
Qivuri i heshtur nuk qenkësh veshur me të zeza,
sytë ia nxorri një flamingo,
mes brinjëve pafrymë,
një shqiponjë i vrau djallin e zi,
gurra popullore këndoi në shekuj,
bashkë me shpendët që vinin e iknin të lumtur e
plot jetë.
Psherëtimë e padëgjuar u bë nënshkrimi që nxorri zë:
-ai nën sqetull s’mori dot as ishullin,
as detet,as lumenjtë,as malet,
sepse ata që vërdallosen rreth errësirës,
nuk varrosen këtu.
Para botës u shfaq një shpirt i lirë,
mes fitores dhe humbjes,
i palëkundur në rrugën e drejtësisë
u gjend një etni,
një popull,
një flamur,
dhe qielli u mbush me gjurmë të bardha avionësh,
zemrat e zbrazëta mes portave drejt përtëritjes,
koha e stuhive në përplasjet për ekzistencë,
po mëson të mbajë peshën dhe bukurinë e një vendi.
…
ca ftohma të dritës,u ngutën të ndryshojnë historinë.
…por për hir të së vërtetës,
zogjtë morën uratën,
populli trashëgiminë.
/QendraPress/