Fryma poetike e së dielës me poeten;-Diana MEHMETI

Toka…
——————————-
Toka u mat me metër dhe
u shit me emër,
si të ishte mall pazari,
jo gjiri i një nëne të vjetër.
Ia prenë kufijtë me vizore,
numëruan gurët me çmim;
por era qeshi mbi letra,
e dielli nuk njohu pronësim.
Kush tha: “Kjo është e imja”,
harroi një të vërtetë të lashtë:
askush nuk e mori me vete tokën,
as mbreti me fronin e artë.
Ne jemi veç udhëtarë,
me një grusht ëndrra në dorë;
sot mbjellim, nesër ikim,
si gjethet që bien në borë.
Prandaj mos e shit ndërgjegjen
për një copë dhe e vulë të rëndë,
Toka nuk ka nevojë për zotër,
por për njerëz që ta duan si nënë.
Sepse në fund të çdo udhëtimi,
kur hesht edhe emri jonë ,
mbetet vetëm toka e qetë
që na mbulon të gjithëve njëlloj.
/QendraPress/