Fryma poetike e së dielës me poeten:-Drita Rubjeka ZENELI

METAFIZIKA E IKJES
———————————-
Sa shpesh e përdorim dëshirën e qielltë,
E përtej jetës kërkojmë t’i shohim lart,
Sa shpesh mendojmë se janë bërë yje,
Në një tjetër botë, si engjëj me krahë.
Sa shpesh i veshim nota qielli dhimbjes,
Ndonëse dhimbja fle thellë në tokë,
Dhe për të mos e quajtur fund atë që ikën,
I japim një tjetër emër heshtjes në mort.
Platoni i kërkonte shpirtit një atdhe tjetër,
Sokrati e priste vdekjen si një pyetje,
Orfeu zbriti në Had
për të bindur ferrin,
Se dashuria ka zë edhe përtej errësire.
Por Hadi nuk e ktheu Euridikën,
Perënditë nuk na e thanë çfarë ne duam të dimë,
Portat nuk hapen vetëm në kujtesë,
Të ikurit në sytë tanë kthehen si dritë.
E po ashtu ekziston dhe lumi i harresës,
E ne ndër të gjallët duhet të bëjmë të kundërtën,
Kjo është mënyra për ta kundërshtuar vdekjen,
Të mos e pranojmë që shpirti të zhduket.
Sepse trupi kthehet në të lashtën tokë,
Dhe një jetë hesht nën rrënjët e pemëve,
Mos vallë kjo është një jetë tjetër,
Që filozofët kërkuan përtej kufirit të materies?!
Mbase vdekja është pyetja më e vjetër,
Që universi i ka bërë njeriut,
Dhe ne pa përgjigje
i ndezim një yll kujtimit,
Qiellit të perëndive i kërkojmë përgjigje…
/QendraPress/