Fryma poetike e së dielës me poeten:-Klara SHEHU

PLISI SHQIPTAR

—————————-

Mbi krye t’Burrit si kurorë me dritë.

Mbi ballin mbushur nga hallet e historisë.

Ti Plis.., simbol qëndron mbi përjetësitë.

Jo vetëm si punim, i duarve të mjeshtrisë.

Ti Plis.., vula që na emërton Shqiptarë.

Linde nga plugu në arën me drithë.

Formën e zgjodhe nga malet e lartë.

Gjysmë elips, që mbart vetë mrekullitë.

Rrënjë e pellazgut mbi tokat e Ilirisë.

I bardhë si bora që shkëlqen në mëngjes.

Simbol i nderit, i shpresës, burrërisë.

Në kuvend burrash, ku flitet me besë.

Ti Plis.., jepje fjalën pas gjakut të derdhur.

I pastër si drita në dasma e gëzime.

Në pajtim gjaqesh me dorë pa u dridhur.

U bëre mburojë, kur shikoje rreziqe.

Qëndron gjysëm elips, në Kosovën e rrafshtë.

Në luftë e tmerr, me shekuj bese.

N’Tiranë e përreth, je rrafsh i sheshtë.

E gjer në Labëri me majë qëndrese.

Te kombi i vjetër prej autoktonisë.

Nuk je veshje, as thjeshtë një kujtim.

Je trashëgim, vlerë e lashtësisë.

Se ti Plis.., je kurorë mbretërore e vendit tim

/QendraPress/