Fryma poetike e së dielës me poeten;-Valbona HADRI

Sapo vjen vera

—————————–

Një re e bardhë lëviz çdo natë

në ëndrrat e mia të brishta,

dhe unë rikthehem,

ajo vajza e vogël,

strukur nën hijen e qershisë.

Nuk fryjnë erërat,

por unë i ndiej ato

në ledhatimin e ngrohtë të nënës,

që m’i shëron të gjitha plagët e jetës.

Atëherë verërat ishin të bukura.

Babai ujiste perimet në kopsht,

duke kënduar nën zë

një këngë të vjetër dasmash,

atë që e këndonte edhe gjyshi.

Pas tij këndonin

të gjitha pemët e oborrit.

Trungjet e vjetra lëviznin çuditshëm,

ndërsa gjethet që binin

ngjanin me letra të padërguara,

dashurie,

nga dikush që e donte dikë.

Bëhesha edhe unë letër.

Fëmijëria më kthehej në shpirt,

por ëndrrën e djeshme

kisha frikë ta takoja.

Ka disa kujtime

që nuk kërkojnë t’i thërrasësh;

mjafton t’i zgjosh

me ninullat e bilbilëve.

Kur isha e vogël,

ëndërroja të isha një re e bardhë vere,

që i largonte shirat

nga viset ku kishin ardhur.

/QendraPress/