Fryma poetike e së dielës me poetin;- Sahit F. OSMANI

NJERIU DHE ANTINJERIU I KOHËS SONË
——————————————–
Dikush flet me zërin e tytës,
dikush me dritën e dijes;
dikush mbjell farën e së keqes,
dikush i bëhet strehë mirësisë.
Dikush ecën me djallin në shpirt,
me zemrën mbyllur ndaj njeriut;
dikush dashurinë e mban si dritë,
si qiri ndezur në terrin e shekullit.
Dikush të vë nektar në gotë,
që jeta të të mbetet në buzë;
dikush fsheh helmin në dorë
dhe ta servir me fjalë të bukur.
Dikush tokën e mbulon me plagë,
ia zbeh qiellit kaltërsinë;
dikush mbi rrënoja mbjell lule
dhe ia rikthen jetës bukurinë.
Dikush është njeri, por i egërsuar,
me fytyrë njeriu e shpirt të shkretë;
dikush është njeri i shenjtëruar,
që di të nderojë çdo frymë, çdo jetë.
Dy rrugë përballë ecin në kohë:
njëra drejt dritës, tjetra në terr.
Dhe njeriu, në udhëkryqin e vet,
zgjedh çdo ditë çfarë do të bëhet më tej.
Se koha nuk lind vetëm njerëz,
as vetëm zemra të bardha a të zeza;
ajo na vë përballë pasqyrës
dhe na pyet, pa zë e pa mëshirë:
Njeri apo antinjeri?
/QendraPress/