Përkujtesë për Sabajeta Peposhin, në 12-vjetorin e vdekjes-Rikujton -Petrit Palushi

                      12 vjet më parë, pa i mbushur të 24 vjetët u nda prej jete krijuesja e talentuar Sabajeta Peposhi. Qysh në moshën 17 vjeçare, në përmbyllje të prozës “Varrmihësi im anonim”, shkroi:“Kësisoj, e lodhur nga parashikimet e çuditshme buzë gropës së hapur, e mbylla monologun e trishtë me një kryefjalë po të tillë: “Me ose pa jetë, do më duhet një varrmihës mua, mishit të gjallë të quajtur rastësisht: njeri”.

Mesa duket, ajo e parandjeu dhe paracaktoi vetë fatin e vet, si fati i njeriut përballë një realiteti sa mistik, aq edhe i pavëmendshëm ndaj njeriut, sa trazues, aq edhe i rëndë, realitet që e ngacmoi dhe e trandi atë vazhdimisht. Koha fizike qe e pamjaftueshme për të ajo shkroi dhe realizoi një letërsi jashtë parafabrikateve, krejt origjinale, si shpërfillje jo vetëm për letërsinë masive, por dhe si reagim i ndjeshëm ndaj një realiteti të pakëndshëm dhe të përceptueshëm bukur mirë prej saj. Në fund të mbrëmë, ia doli ta sendërtojë në mënyrën më të mundshme një letërsi të cilësishme.