Reagim qytetar -MES PROTESTËS DHE SHPRESËS…!- Nexhbedin Basha, gazetar

Miq, të dashur qytetarë, studentë, intelektualë, familjarë të shtresës së minimumit jetik, të shtresës së mesme, biznesmenë e atdhetarë. Shqipëria po kalon kohë të vështira. Varfëria ende troket në shumë familje, pagat dhe pensionet mbeten të ulëta, ndërsa çmimet rriten çdo ditë. Të rinjtë largohen, truri ikën jashtë vendit, fshatra e qytete po zbrazen dhe korrupsioni vazhdon të gërryejë besimin e qytetarëve tek shteti dhe drejtësia. Në këtë realitet, prej pesë ditësh zhvillohet protestë. Si qytetar, intelektual, gazetar e poet, por edhe si veprimtar për çështjen e identitetit kombëtar dhe anëtar në bordin e Shoqatës “Zëri Kombëtar Shqiptar”, vlerësoj këtë protestë të nisur në Zvërnec, e cila tashmë është shtrirë nga Tirana në rrethe dhe në diasporë. Ndërkohë mund të them se jetojmë pranë një realiteti ku progresi bashkëjeton me padrejtësi të thella: varfëri, paga të ulëta, papunësi, emigrim i të rinjve dhe një korrupsion që ka dobësuar besimin tek institucionet. Shqipëria përballet çdo ditë me sfida sociale dhe institucionale, ku qytetari shpesh ndjehet i pambrojtur dhe i pabarabartë përballë ligjit dhe mundësive. Kombi shqiptar mbetet i përçarë në trojet e tij jashtë kufijve shtetërorë, nga Kosova në Çamëri, nga Lugina e Preshevës në Mal të Zi e në Maqedoninë e Veriut. Ky realitet historik është pasojë e vendimeve të mëdha ndërkombëtare të Konferencës së Londrës, mungesës së një shteti shqiptar të konsoliduar dhe të përfaqësimit diplomatik në vendet e botës, si dhe më pas e ndikimeve politike rajonale. Nga një vend i quajtur dikur “tokë e varfër”, Shqipëria është kthyer sot në një destinacion të rëndësishëm turistik në Ballkan, ç’ka dëshmon potencialin e saj të madh zhvillimor. Por pyetja mbetet: a po përkthehet ky zhvillim në mirëqenie reale për qytetarin? Nëse kjo protestë është thirrje për një republikë më të drejtë, për largimin e një kaste të konsumuar 32- vjeçare dhe për një frymë të re pa korrupsion, atëherë ajo mbetet një sinjal i fortë qytetar dhe një zgjim i ndërgjegjes kombëtare. Por nëse devijohet nga interesi publik dhe pengon investime që i shërbejnë zhvillimit dhe punësimit, atëherë kërkohet reflektim dhe dialog institucional. Në çdo rast, zgjidhja nuk mund të vijë nga përçarja, por nga transparenca, ligji dhe respekti për qytetarin. Sa i takon projektit të Zvërnecit, duhet respektuar mbi të gjitha ligji dhe pronësia legjitime. Toka duhet t’u kalojë pronarëve, projekti duhet të jetë transparent dhe pronarët të jenë pjesë e zhvillimit. Gjithashtu duhet përcaktuar qartë destinacioni i të ardhurave dhe shmangia e tjetërsimit të përhershëm të tokës, duke e trajtuar në formë qiraje në funksion të interesit publik. Si intelektual, më dhëmbin rrënjët e këtij vendi. Ndoshta prandaj kam në proces romanin autobiografik “Kufijtë e Zemrës”, sepse nuk dua të shoh të nëpërkëmbet dinjiteti dhe identiteti kombëtar. E ritheksoj se mbështes një protestë qytetare, dinjitoze dhe paqësore, ku dominon rinia, studentët dhe intelektualët. Një lëvizje e tillë mund të ruajë forcën dhe besueshmërinë e saj vetëm nëse mbetet e pastër nga ndikimi politik, nga ndërhyrjet e rrymave apo grupimeve me agjenda të huaja, si dhe është e fokusuar tërësisht te interesi publik dhe qytetar. Protesta është e shenjtë kur lind nga dashuria për atdheun dhe jo nga përçarja. Shqipëria ka nevojë për zëra që ndërtojnë, jo që shkatërrojnë; për dialog, drejtësi dhe vizion kombëtar. Mbi çdo interes tjetër, duhet të mbetet dinjiteti i kombit. Nexhbedin Basha Gazetar
/QendraPress/