Haskuka nuk ka arritur të krijojë mekanizma për menaxhim e sektorit arsimor

0

   Kryetari i degës së PDK-së në Prizren  Shaqir Totaj, sot në konferencën me media  ka folur  për qeverisjen lokale  duke  akuzuar ate  për mosrealizim të shumë   premtimeve, Ai  tha Haskuka nuk ka arritur të krijojë mekanizma për menaxhim të sektorit arsimor dhe  vazhdoi ‘’Sot, kur jemi në fazën e përgaditjeve intenzive për zgjedhjet e datës 14 shkurt, zhvillimet tragjike ku dje një djal i ri 15 vjeqar e humbi jetën nga dhuna fizike në mes të rinjësh, na e bënë të pamundur që të anashkalojmë e të mos reagojmë për këtë rast tragjik.

Në fillim, duam t’i shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta dhe të PDK-së, për familjen Buduri në Prizren, që humbi djalin e tyre 15-vjeçar, të cilin e kishte nisur për në shkollë. Poashtu i shprehim ngushëllime edhe stafit të shkollës së mjekësisë për humbjen e nxënësit. Derisa familja humbi më të dashurin e saj, Prizreni dhe Kosova humbën një kuadro të së ardhmes. Ky rast tronditës bëhet edhe më i rëndë, pasi ndodhi pikërisht në ditën e parë të fillimit të mësimit për gjysmëvjetorin e dytë, në një qytet që deri tash është vlerësuar për tolerancën dhe kulturën.Ky rast, duhet jetë sinjal për të gjitha institucionet e sigurisë, posaçërisht për Kryetarin e Komunës së Prizrenit z.Mytaher Haskuka dhe LVV, për rritjen e nivelit të përgjegjshmërisë së institucioneve edukativo-arsimore. 

Rasti i djeshëm, është dëshmi për dështimet e tij në sektorin e arsimit, të dëshmuar tashmë jo vetëm në ngecjen e cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie, por edhe në shpërfaqjen e vazhdueshme të problemeve të tilla me pasoja tragjike për nxënësit e komunës sonë.

PDK shpreh shqetësimin e thellë për situatën në të cilën është katandisur arsimi prizrenas, gjatë  qeverisjes komunale të drejtuar nga një kryetar turist dhe i papërgjegjshëm, i instaluar nga LVV.

Për më keq ngjarja e djeshme ka ndodhur derisa Haskuka dhe drejtoresha e Arsimit, po vizitonin shkollat e preferuara: “Lekë Dukagjini” dhe gjimnazin “Remzi Ademaj”, ku prej 5 muajsh, vazhdojnë të jenë me ushtrues detyre të drejtorit, njerëzit e preferuar politik e servilë, të emëruar pa konkurse e në kundërshtim me ligjin.

Haskuka nuk ka arritur të krijojë mekanizma për menaxhim të këtij sektori, për të cilat vazhdimisht e ka ngritur zërin PDK në Prizren. Ai nuk ka mbajtur asnjë takim paraprak me drejtorët e shkollave, policinë apo akterët tjerë të sigurisë, në prag të fillimit të gjysmëvjetorit, kur dihet se për shkak të pandemisë, shumë nxënës janë në depresion, derisa dita e parë e shkollës mund të jetë rast për konflikte dhe qerim hesapesh, pasi në këtë ditë ata takohen fizikisht në shkolla. Axhami qeverisja e Haskukës, për 3 vjet ka emëruar 3 drejtorë të Arsimit, duke emëruar së fundmi Xhemile Thaqi-Vezgishi, që nuk ka punuar asnjëherë në arsim. Për me keq, rasti tragjik ka ndodhur mes nxënësve të shkollës së mjekësisë “Luciano Motroni” që nuk ka drejtor të rregullt, por ku drejtori e zëvendësi janë vetëm ushtrues detyre. Haskuka në këtë shkollë ka thyer rekord që do të mbahet mend gjatë, pasi në dy vitet e fundit janë emëruar katër ushtrues detyre të drejtorit. Shkolla e mjekësisë, që ka qenë një shembull i mirë në vend, tashmë është kthyer në të kundërtën. Kujtojmë se qysh në vitin e parë të mandatit qeverisës të Haskukës, në maj të vitit 2018 kësaj shkolle i’u shkëputën edhe dy vajza, të cilat brenda një jave bënë vetëvrasje, duke u hedhur nga katet e larta.Një rast tjetër i therjes me thikë ka ndodhur edhe në dhjetor, në afërsi të shkollës fillore “Fadil Hisari”, por që është mbajtur i heshtur nga DKA.

PDK i’a bën me dije opinionit se çasja qëllimkeqe e Haskukës ndaj shkollave dhe synimi për politizim të skajshëm, është dëshmuar me largimin e disa drejtorëve me përvojë dhe performancë, të cilët ishin dëshmuar edhe në krijimin e sigurisë përreth shkollave.

Për këtë kujtojmë se shumica e shkollave të Prizrenit tashmë funksionojnë me ushtrues detyre të drejtorit dhe zv/drejtorit, disa prej të cilëve janë në shkelje ligjore, pasi kanë tejkaluar për disa fish limitet e parapara ligjore.Për shkak të dështimeve të shumta, PDK kërkon nga Kryetari Haskuka shkarkimin urgjent të drejtoreshës së DKA-së.

Ndërkaq, si kompetencë ekskluzive e Komunës, Kryetari i Komunës do të duhej të udhëzoj drejtorët e shkollave apo mekanizmat e tjerë brenda shkollës, pos tjerash edhe në rastet kur në shkollë, siguria është e brishtë apo mund të dëmtohet në një të ardhme të afërt nga veprimet e nxënësve apo prindërve. Problemet e vazhdueshme të natyrës së tillë në shkollat e komunës sonë, nuk e kanë alarmuar të parin e komunës për të ndërmarrë hapat konkret për të rritur nivelin e sigurisë së nxënësve në objektet e shkollave dhe rreth këtyre objekteve.

Në anën tjetër, Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi, si mekanizëm i themeluar nga Kuvendi i Komunës për të trajtuar çështjet e sigurisë dhe me përbërjen e shumë akterëve institucional dhe jashtë institucional, i përfshirë edhe përfaqësuesi i Këshillit të Prindërve, nuk është në nivel të detyrës, si pasojë e neglizhencës së Kryetarit Haskuka si udhëheqës i këtij mekanizmi.

Me qëllim të evitimit të problemeve të tilla, që për pasojë kanë humbjen tragjike të jetës së nxënësve tanë, kërkojmë nga Kryetari i Komunës të ndërmarrë masa të menjëhershme në funksionalizmin e gjitha mekanizmave brenda institucioneve arsimore si dhe në rritjen e bashkëpunimit ndër institucional, që kontribuojnë në rritjen e sigurisë së nxënësve jo vetëm brenda institucioneve arsimore por edhe përreth objekteve të këtyre institucioneve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *