Çaste poetike me poetin:-Kastriot FETAHU

VIGJILJE

———————–

Në sheshin e lodhur të bredhit të Vitit të Ri

ato që kanë ndryshuar janë pllakat

dhe një grusht betoni ngjitës i tyre.

Këpucët që shkelin janë të vjetra,

nën shoje qajnë ëndrra të reja.

Në slitën e drerëve

litari ka shtuar disa këputje fijesh.

Plaku i Vitit të Ri, me kapuç të grisur,

ngjyra e bardhë,

zverdhur si borë e harruar ndanë rrugës,

ndërsa e kuqja një kujtim i largët.

Endacaku i vjetshëm, një statujë shenjtori i kërrusur,

me hijen e zvogëluar të çantës së lëmoshës.

Qielli nuk ka lëvizur, vetëm zogjtë ikën larg,

akoma tretet jehona e kambanës të heshtjes së katedrales.

Dritat e ndritshme të Krishtlindjes,

me format marramendëse,

vizatojnë fjalë njerëzish të ngrirë,

me formën e erës së mëngjesit.

Një fëmijë përkëdhel qenin e endacakut,

lodër e munguar, engjëlli i tij.

Ndërsa bora i rebelohet kohës,

pikat e pjerrëta të shiut

lagin kukullat e plakura në vitrina.

/www.QendraPress.com/