Çaste poetike me poetin;-Kujtim R. HAJDARI

NË RRUGË ME NJË TË HUAJ
————————————-
Në një mëngjes të zakonshëm,
kur qyteti ende mezi merr frymë,
një e panjohur ecën pranë meje —
nuk më del përpara,
nuk më rri as pas,
por si një hije e qetë
që ka zgjedhur të marrë formën e njerëzores.
Ecën krah meje në rrugët e Bostonit,
si një fletë e humbur në erën e dimrit,
si një yll i zbehur
që kërkon të mos shuhet krejt
në oqeanin e ftohtë të ditës.
Dhe mes nesh
heshtja bie si një dëborë e hollë,
e bardhë, e lehtë,
por e mbushur me peshën e vetmisë.
*
Mbase më sheh si një burim të vogël drite,
si një pikë uji në shkretëtirën e syve të saj,
si një prag ku shpresa ndalon
para se të hyjë në zemër.
Dhe unë përpiqem të jem
jo një zjarr që verbëron,
as një kullë që ngrihet mbi dhimbjen e saj,
por një qiri i thjeshtë,
një dritë e ulët në dritaren e natës,
një dorë e zgjatur
si urë prej fryme
mbi humnerën e largësisë sonë.
Mes një jete dhe një tjetre
qëndron një hapësirë e ngushtë
si një e çarë në murin e botës,
dhe megjithatë
hapat tanë e mbushin atë zbrazëti
me rrahje zemre në asfalt.
*
Në sytë e saj shoh
hijen e një dimri të gjatë,
një çati të rrëzuar kujtimesh,
një udhë pa stacione pritjesh e pushimesh.
Atëherë i zgjat dorën
si të mbjell një pemë në një tokë të lodhur,
dhe e shoqëroj me fjalë të thjeshta,
me fjalë që janë si gurë të ngrohtë
në pëllëmbën e akullt të shpirtit:
bukë,
strehë,
vëlla,
motër,
prindër,
familje,
atdhe —
fjalë që ngjajnë me dritare
të hapura në një shtëpi të harruar,
fjalë që shpesh mbeten të varura
si yje të paemërta
në qiellin e kujtesës.
Kur frika ngre muret e saj
si kështjellë pa portë,
kur mosmirënjohja mbyll sytë
si perde mbi një mëngjes të gjallë,
ato fjalë prapë kanë fuqi:
janë si ujë që çan shkëmbin,
si dritë që hyn edhe nga çarje e vogël,
si një fije shprese
që kalon përmes xhamit të thyer
të shpirtit njerëzor.
*
Ne jemi të dy të huaj në këtë qytet,
dy pika të vogla në hartën e madhe të dhimbjes,
dy udhëtarë që s’mbajnë hartë,
por mbajnë brenda vetes
një busull të padukshme:
zemrën,
që shkurton largësitë e mbush zbrazëtinë,
që na bën pjesë
te familjes së madhe njerëzore,
si një trung i vetëm me degë të shpërndara,
si një det me dallgë të ndryshme,
por me të njëjtën kripë që josh.
*
Ecim në të njëjtën rrugë të pafund të jetës,
si dy fenerë të vegjël
që s’duan të ndriçojnë botën,
veç njëri-tjetrin.
Të huaj në fillim,
si dy brigje që s’e njohin lumin,
pastaj zërat tanë,
si zogj që gjejnë një pemë,
pastaj duart tona,
si dy rrënjë që takohen nën dhe,
kur bashkohen në një,
jeta hapet përpara nesh
si agim që derdhet mbi horizont,
dhe errësira merr ngjyrën
e një mëngjesi që më në fund
ka mësuar të shpresojë.
(Kujtim R. Hajdari)
/QendraPress/