Fryma poetike e së mërkurës me poeten:-Leonora N. LOKAJ

SHI MBI KATUND

————————–

mbrëmë u fikën dritat

qiellit të pa skaj seç pikoi shumë shi

vetullngrysur ndezi llambat plot vajgur

ëndrrat tona të plumbta

katundi i rënë në agoni

seç i depërtoi ndër dej

një mall i përflakuar prush

kujtimi i ndezur

ngriti dolli me gotën thatë

e kohë e rrëpirë si konop i lagur

iu var në qafë

mos të vije keq ty trazim për ne

moti kemi bërë krim

që kur kalendarit të dhimbjes

i numërohen veç ikjet

e katundi që ushqehet me vetminë e vet

veç dritat pret t’i fiken

tek e fundit

ne nuk shkaktuam “Stuhi në Gang”

shkëmbinjve të Kaukazit

Prometenë s’e ngujuam askund

veç thyem degën e lisit ku mbaheshim

ndaj shumë shiu bie mbi katund

/QendraPress/