Çaste poetike me poetin;- Idriz Berisha-XHIXHI

DRITARE KAH DETI

——————————–

Kjo dritare e verdhë kah deti

pikturuar n’horizont lindjesh

ku flet malli

ku pret djali.

Deti me një dritare

s’mbanë mend ç’emër ka

rreze t’paprekshme lindjesh

duarë që preken mes dallgësh.

S’ka rrugë as stacione

veç nuse valësh ngjyrë serenatash.

Vonë kuptova së kjo dritare

është për dritë shpirti

për mallin që s’është plagë.

Në perëndimet e skuqura zjarr

trazohen malli e djali

marrin aromë deti

Akoma mbaj hapur dritarën e verdhë

ballë detit n’kështjellë

ku varkat bartin dashuritë e harruara

rrugëve t’pa këthim

pikturë me emrin tim!

/QendraPress/