Çaste poetike me poeten;- Rudina Muharremi BEJA

DO TË VIJË NJË DITË
——————————–
Do të vijë një ditë kur do të na marrë malli
edhe për një zë të zakonshëm njeriu.
Porta do të mbetet gjysmë e hapur,
por askush nuk do të trokasë.
Ndoshta,
ajo ditë ka mbërritur tashmë.
Pranë sofrës, do të bluash e ribluash kujtimet,
si kokrra gruri në një mulli të lodhur,
derisa qepallat të rëndojnë si plumb
dhe nata të të ulet në supe
si një zog i lagur.
Retë e egërsuara,
tufanët e pamëshirshëm të jetës,
do të të përkulin,
por nuk do të të thyejnë.
Nuk do të mundin ta çrrënjosin krenarinë që ka
ngulur rrënjë si grami në një tokë të pabindur,
ku edhe gurët
kanë mësuar të durojnë.
Pluhuri i bardhë do të ketë pushtuar flokët e tu,
rrudhat do të jenë thelluar si lumenj
të tharë mbi hartën e fytyrës.
Dhe bota,
që sheh vetëm sipërfaqen,
do të të quajë të fortë,
madje të pamposhtur…
Askush nuk do ta dëgjojë si çahet
heshtja brenda kraharorit tënd.
Sepse malli nuk troket.
Ai hyn pa leje,
ulet pranë zemrës dhe godet ngadalë,
derisa çdo rrahje
të tingëllojë si një kambanë në qytetin e braktisur.
Balli yt i ftohtë,
boshllëku i syve,
do të rrënqethin edhe muret përreth,
teksa ekrani vazhdon
të numërojë shtete të gjymtuara,
fëmijë pa strehë,
dhe tonelata helmi që mbijnë
mbi ndërgjegjen e botës.
Por perandoria jote nuk
gjendet në hartat e askujt.
Ajo është brenda atyre mureve,
një kështjellë e ngritur me gurët e heshtjes,
aq e lartë sa nuk e kapërcejnë dot as miqtë,
as armiqtë,
e ndonjëherë as ti vetë.
Disa pyesin nëse je ende gjallë.
Të tjerëve,
koha ua ka zbehur kujtimet.
Ndërsa ty të dhembin veshët nga fjalët që kap në hava.
Ato gumëzhijnë si dallgët e një deti të largët,
pastaj të therin si parmenda që çan tokën e tharë
në pritje të një shiu që nuk vjen.
Sytë pothuaj nuk e dallojnë më humnerën që të ndan nga hapi yt.
Ndërsa dhimbja e vetmisë
zbret ngadalë si muzg mbi tokën e mardhur.
Ngre antenat si një radio e vjetër që kërkon
me ngulm frekuencën e një zëri njeriu.
Por përgjigjen ta sjellin vetëm ca milingona të vogla,
që nuk i sheh dot.
Ato vijnë çdo ditë të marrin pak sheqer
nga ai që bie jashtë filxhanit tënd,
si lëmosha e vetme që ende mund t’i falësh botës.
Dhe ti ripërtyp trishtimin si të vetmin
ushqim që nuk mbaron kurrë.
Pastaj hesht
Duke pritur pasagjerët e vonuar—
/QendraPress/