Mbyllja e qumështores VITA , prek drejtpërdrejt dhjetëra fermerë, familje dhe prodhues të qumështit pohon drejtori i Bujqësisë në Prizren Nderim Kadrijaj.

     Mbyllja e qumështores VITA nuk është vetëm një çështje e një kompanie. Ajo prek drejtpërdrejt dhjetëra fermerë, familje dhe prodhues të qumështit, të cilët çdo ditë punojnë me mund për të siguruar jetesën e tyre.

Nëse Inspektorati, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, ka marrë vendim për mbylljen e aktivitetit të qumështores VITA, atëherë shteti ka detyrim tjetër: të mos i lërë fermerët pa zgjidhje.

Fermerët e Komunës së Prizrenit, të cilët kanë pasur kontrata për grumbullimin e qumështit nga VITA, nuk duhet të jenë viktima të kësaj situate. Qumështi nuk mund të presë dhe as fermeri nuk mund të mbetet me produktin e pashitur.

Prandaj, kërkojmë nga Ministria e Bujqësisë dhe institucionet përgjegjëse që urgjentisht të koordinojnë një zgjidhje, duke mundësuar grumbullimin e qumështit nga qumështore të tjera ose përmes mekanizmave të tjerë, në mënyrë që fermerët të mos pësojnë humbje ekonomike.

Bujku dhe fermeri duhet të mbrohen gjithmonë. Kur shteti merr një vendim që ndikon në zinxhirin e prodhimit, ai ka përgjegjësinë të ofrojë edhe zgjidhjen./QendraPress/