Çaste poetike me  poeten:-Barie ÇUPI

Në buzë të hënës

——————————-

Në muzgun e kuq,

dal rrugëve të qytetit,

e mbledh dramca fjalësh të

lëna nëpër tavolina lokalesh,

prek buzëqeshje fëmijësh e të

qara bebash në gjurmë karrocash,

për një park të bukur përmallesh,

zbrazje gotash,

firoma jete,

hingëllima të çlirëta,

edhe larg,edhe afër,

rrëzitje djemsh e gocash,

prap njerëz të varfër.

…

m’ka marrë malli të shoh ndonjë stol,

ku përqafen dy të dashuruar,

e anës,këpusin një margaritë

të bardhë për t’i numëruar petalet,

mufaten zjarret që janë shuar,

dita në buzë të hënës ndalet.

…

m’ka marrë malli për thinjat e bardha të

 pleqve që fisnikërojnë gjithë krenari,

se në turmë me to shoh dhe ca të

reja si gjermanet mysafire,

ç’po mpikset në palcë kjo rini.

…

m’ka marrë malli për fjalët e mençura të babait ,

dhe për hapin e shpejtë të nënës plakë.

sillem e pështillem pas ndjenjës së fajit,

të gjithë duke ngecur, rrokullisemi mbi plagë.

…

në muzgun e ngrohtë të fundgushtit,

dal e shoqëruar vetëm me nazet e mia,

që mbledhin si në topa leckash nostalgjinë,

dhe pulisjen e butë të shpirtrave që

 flasin në heshtje të ngrira,

sa të pasur i ndjej ata që brenda vetes rrinë.

…

në konakun e diellit zhuritës,

krrokasin motet,

stërkeqen e largohen,

currilash lot’i ëndrrës mbiu,

në këtë muzg të kuq,

shpurrisen qëllimet,koha dhe njeriu.

/QendraPress/