Çaste poetike me poeten:-Diana MEHMETI

UNË,TI DHE POEZIA
————————–
Mes meje dhe teje nuk kalon rrugë,
as kohë – as lumë kalon vetëm një poezi…
me këmbë të zbathura nëpër marrëzi.
Ajo hyn te ne si drita në një shtëpi të varfër,
pa trokitur, pa kërkuar leje,
dhe ndez në muret tona hijet
që kishim fshehur prej vetes.
Ti më flet me sy,
unë të përgjigjem me heshtje të thellë,
ndërsa poezia na përkthen dhimbjet
në një gjuhë që nuk vdes. Kur ti qesh,
ajo çel manushaqe në plagë të muzës,
Kur rrëzohesh ajo mbledh eshtrat e
shpirtit si një nënë pas luftës.
Ne të dy jemi veç dy njerëz të
zakonshëm, por poezia…
ajo na mashtron bukur,
na vesh me përjetësi gjithë hallet…
edhe pse jemi prej balte.
Një ditë ndoshta ti do të ikësh,
unë do të tretem në pluhurin e
viteve parë nga hëna.
Por poezia do të mbetet ulur mes
filxhanëve tanë të ftohtë,
duke përsëritur emrat tanë
si lutje të pathëna.
Sepse dashuritë mbarojnë,
trupat lodhen,
koha i thyen edhe gurët nëpër netë,
por vargu i lindur nga dy
zemra nuk di të vdesë.
Autore Amb Diana Mehmeti
/QendraPress/