Çaste poetike me poeten;-Mimoza Elioni OSMANI

Qirinjtë
——————
S’kthej dot as qirinjtë së prapthi,
se do duken shtatëdhjetë e pesë
Mosha s’më ndjek hap pas hapi,
ngjaj nënë çames, Selimesë.
Vitet, yje-xixëllonja,
në një grusht i mblodha shuk,
i thashë hënës: “Hënë, zonja,
plakjen nuk e dua, nuk!”
Sy shqiponje, syri i hënës,
me sqep, si të jenë pambuk,
mblodhi bashkë fijet e zemrës
dhe të thinjave tek-tuk.
Si t’i kthej ndryshe qirinjtë?
Le të duken pesëdhjetë e shtatë.
Shpirti im është i florinjtë,
mosha veç kallëp i artë.
/QendraPress/